Antropologjia/Nga magjitë seksuale te lugetërit, ritet e vjetra shqiptare

S.S. Klarku një udhëtar dhe studiues që vdiq i ri në një aksident me jaht në Gjirin e Korintit ka lënë pas disa shënime vërtet interesante për ritet e fshehta e të harruara të disa zonave të Shqipërisë.

Ai kaloi disa muaj në fshatrat e jugut shqiptar nga dhjetori i vitit 1921 në janar të 1922-it dhe vëzhgimet e tij i ka përmbledhur në një ditar ende të pabotuar.

Më poshtë disa prej këtyre shënimeve, të botuara sot nga gazeta DITA:

Magjitë e dashurisë

Në Skoriadh e Labovë ushtrohet magjia, veçanërisht për çështje seksuale. Në rast se një burrë kërkon të shtjerë në dorë një vajzë, kap një lakuriq nate vrarë nga një musliman, dhe e gropos në një vend ku nuk arrin të dëgjohet kirikija e këndezit në agim.

Kur kanë kaluar dyzet ditë nga groposja, i riu shkon te vendi dhe thërret tri herë rresht “O dreq haje mishin, o dreq lëri kockat”. Pastaj ai merr një kockë të kthyer nga lakuriqi i natës, e lidh në një grep prej argjendi, dhe godet pëllëmbën e vajzës me majën e grepit.

Kështu ajodo  t’i shkojë pas deri në vdekje. Por në qoftë se ai don që ta heqë qafe, e godet femrën në shpinë të dorës.

Plakat e fshatit Skoriadh parashikojnë të ardhmen, duke përdorur si instrument një shpatull qingji gati të tejdukshme.

Zakone dasmash

Në jug të Zagorisë ndodhet një grup fshatrash të krishterë, më i madhi ndër ta është Poliçani. Kjo komunë njihet si Paleo-Pogoni, pra “Pogoni i Vjetër”, përkundër Pogonit të Parë, që shtrihet më tutje në jug, në anën greke të kufirit.

Megjithë territorin e tyre të thellë, pogonasit janë më të qytetëruar sesa fqinjët në luginën e Drinit; sepse varfëria e skajshme e rrafshinës shkëmbore ku mbarështrojnë dhentë, i ka detyruar shumë prej tyre të mërgojnë drejt Amerikës, Stambollit (Konstantinopolisit) dhe Athinës.

Pasi zakoni për t’u martuar ndërvedi në këto fshatra, është i fortë, të ikurit jashtë shtetit, rikthehen në shtëpitë e tyre për të krijuar familjen. Pastaj ikin përsëri jashtë.

Nëse kanë mundësi, ata e marrin nusen me vete; por në të shumtën e rasteve e lenë nusen shtatzënë në shtëpi, dërgojnë para për ta mbajtur, dhe kthehen afërsisht një herë në pesë vjet për të shtuar numrin e familjes.

Falë marrëdhënieve me botën e jashtëme, shtëpitë janë të pajisura sipas modës. Këta fshatarë përdorin takëme dhe mbulesa tryeze, madje një herë, provova luksin e rrallë që të flija me çarçafë.

Ndërsa nëshumicën e fshatrave, kur i zoti i shtëpisë më lutej për t’u larë, do kërrusesha kokëposhtë dhe e shoqja do ma shprazte ujin e ftohtë në zverk, në Pogonin e Vjetër, më nxorën një legen me ujë të ngrohtë dhe një copë sapun.

Një martesë në Poliçan

Klarku përcolli një martesë në fshatin e Hlomos, gjë që e përshkruan gjerë e gjatë. Në mëngjes, dhëndëri duhej rruar prej dikujt që i kishte gjallë të dy prindët.

Procesioni ishte “shpirti i festës”. Ky duhej të ndiqte gjithmonë krahun djathtas. Në krye, qëndronte një djalë me një flamur në dorë (në këtë rast flamuri ishte shqiptar, por në ndonjë rast ishte edhe grek, sipas shijeve) bashkë me ahengçitë.

Fillimisht, këta shtonin në kishë dhe më pas në shtëpinë e dhëndrrit. Pranë dhëndrit viheshin në radhë krushqit, pastaj ky i mbrojtur nga një çadër hipte në një hamshor të bardhë që mbahej nga i jati, ndërsa në fund rrinin krushkat po nga dhëndëri.

Sapo procesioni nisej nga shtëpia e dhëndrrit për te shtëpia e nuses, fillonte muzika. Te shtëpia e nuses, meshkujt e familjes së saj zinin vendin në procesion. Pastaj, hipur në një mushkë të bardhë mashkull, vinte nusja e mbrojtur nga një çadër dielli. Më pas e kishin radhën krushkat nga nusja. Në fund fare, vinte një mushkë e ngarkuar me sënduk dhe qilima (që duhet të mjaftonin për një vit).

Mushka drejtohej nga një femër nga krushqia e dhëndrit. Dhëndëri hynte në kishë së bashku me mikun e tij më të ngushtë. Në krah të majtë mbante mikun dhe babain djathtas. Brenda, në kishë, dhëndëri dhe nusja shkëmbejnë kurorat tri herë; dhe i vijnë rrotull tri herë altarit; pastaj marrin tri herë kungimin e shenjtë.

Pas dasmës, dhëndëri dhe nusja hanë “kullure” (bukë në formë unaze) te shtëpitë e njëri tjetrit, ndërsa kumbara e fut gishtin e ngjyer me mjaltë në gojët e të dyve, dhe lëpin gishtin.

Gjatë ritualit, baballarët ngrenë dolli me njëri tjetrin duke kryqëzuar gotat; mamaja e dhëndrit i hedh nuses oriz, ndërsa nusja shpërndan ëmbëlsira, portokalle dhe mollë; ndërsa nuses, i ngjitin në shalën e mushkës tri vogëlushë për ta puthur.

Kur rituali i dasmës bëhet gati të shpërndahet në të dyja shtëpitë, krushqia e dhëndrrit rrethojnë nusen dhe i japin dhuratat, ndërsa ajo i jep dhuratat dhëndrit.

Natën e parë, te dhëndëri, shtrohet ushqim për krushqinë dhe miqtë e tij, ndërsa natën e dytë shtrohet për krushqinë e nuses, në të dy rastet ngrihet dolli për dhëndërin me urimin “u bashkofshim për gëzime të tjera”. Kur nusja shkon në shtëpinë e burrit, shoqërohet nga krushqit e saj që duhet të jenë me numër tek.

Në hyrje të shtëpisë kumbari ia jep dhuratat nuses përpara se të zbresë nga mushka. Te dera e shtëpisë ajo i ngjyen katër gishtat në një filxhan me mjaltë tri herë dhe ja jep mjaltin kumbarës, me qëllim që të largojë zënkat.

Në prag të derës rreshtohen monedha ari dhe argjendi dhe nusja e kapërcen pragun e ndihmuar nga dhëndëri, i cili e çon hopa. Sapo nusja futet brenda në shtëpinë e dhëndrit, vajzat e shtëpisë nisin këngën.

 

Dy-tri ditët e para nusja është kaq e ndrojtur sa nuk flet me askënd, as me vetë burrin, përveç të afërmve të saj. Çifti i sapo martuar, javën e parë pushon, dhe bashkë me afro tridhjetë krushq nga të dyja familjet, janë të ftuar nëpër shtëpitë e krushqisë.

Ritet e martesës

Bujtësi ia kishte shpjeguar Klarkut ceremoninë e vet të dasmës, në vitin 1890. Festimet vazhdonin dhjetë ditë, gjatë kësaj kohe shpenzimet llogariteshin në 95 kokë bagëti, 600 okë verë dhe 600 gjerdanë me fishekë, por atëhere ai kishte për të mbajtur 34 kushërinj të parë, pa futur në hesap ata të nuses.

Asokohe mashkulli më i afërt i nuses, flinte me të natën e parë, ndërsa dhëndëri flinte me nusen atë natë që mbaronin festimet. Bujtësi i Klarkut, e kishte konsumuar martesën e vet, vetëm nëntë ditë pas dasmë.

Pozita e gruas është e tillë që t’i bindet krejtësisht të shoqit. Ajo s’mund të flejë pa lejen e të shoqit (këtë zakon e zbatojnë të gjitha gratë e shtëpisë).

Nusja duhet të sillet me përunjësi. Kur i shoqi s’është në shtëpi, ajo mund të dalë prej andej vetëm kur shoqërohet nga një grua e martuar. Gruas së martuar i përket një burim në fshat, që s’mundet ta përdorë askush tjetër.

Pozita e gruas është e ndryshme nga pozita e vajzave. Vajza gëzon më tepër liri, dhe madje mund të sillet në mënyrë të pahijshme para të jatit. Gjyshja nuk mund të urdhërohet nga i biri, prandaj nipat këshillohen me gjyshen ashtu si me të jëmën.

Një burrë mes xhindeve

Xhind është trajta shqiptare e fjalës arabe “xhini”. Fshatarët kanë frikë që të udhëtojnë natën për shkak të tyre. Deri dyzet ditë pas lindjes së gruas asnjë burrë nuk duhet të hyjë në shtëpinë e kësaj lehone pasi bie mbrëmja, për të mos u ndjellë shpirti i djallit.

Thuhet se xhindët banojnë në veri të Pogonit të Vjetër dhe barinjtë që flenë jashtë me bagëtitë, gjatë natës dëgjojnë zërat e tyre.

Këtu tregojnë për një burrë i cili ndjeu në mesnatë zërat e tyre duke kënduar këngë dasme. Nereidat e bindën që të rrinte bashkë me to; kështu ai u martua me njërën prej tyre dhe jetoi i lumtur për një muaj. Pastaj Nereidat u zunë ndërmjet tyre.

Burri u frikësua, vrapoi në shtëpinë e tij dhe u tregoi fshatarëve për ato që kishte kaluar.

Bujtësi i Klarkut i tha atij se ishte takuar me këtë njeri në vitin 1914, dhe asokohe atë e kishte kapur dalldia prapë që të ikte nga shtëpia, por iu kthjellua mendja.

Hesape lugetërish

Ndërsa xhindët mund të ishin të mirë, “lugetër-it” ishin tepër të frikshëm, ishin bisha si ujqit ose aty afër. Një të premte, bujtësi i Klarkut, kishte parë djegjien e një lugati në Taç.

Në Poliçan besohej se lugetërit shfaqeshin vetëm midis muslimanëve (por mund të ishte e kunderta në Kurvelesh).

I ashtuquajturi lugat, pasi vdiste dhe varrosej, ringjallej pas shtatë ditësh, vinte natën në shtëpi dhe hante pak miell. Në rast se ishte grua, merrte ushqim nga sënduku, plaçkiste ç’të gjente, dhe i fuste te varri i saj. Të premten nuk çlirohej nga trupi i saj, por tre-katër netët pasuese vinte dhe trazonte në shtëpinë ku kishte vdekur.

Kur njerëzit e shtëpisë bëheshin të vetëdijshëm për fantazmën, e kuptonin se do të kishte qenë “ajo”. Atëhere thoshin: “Të premten shkojmë t’ia zbulojmë varrin; t’i vemë përsipër një turrë me shkarpa, gjysëm oke parafinë nën to, dhe pastaj e djegim”. Ky veprim ndërmerrej vetëm kur i pllakoste ndonjë fatkeqësi e madhe. (Dita)

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU