Andrologu Evin Dani: Andropauza, mjekimi që u ndryshon tërësisht jetën meshkujve mbi 50 vjeç

Kryerja e analizës së nivelit të testosteronit dhe marrja e mjekimit u ndryshon tërësisht jetën meshkujve mbi 50 vjeç”. Deklarata vjen nga mjeku androlog, Evin Dani, i cili në këtë intervistë, dhënë për suplementin “Life Pages” të “Gazeta Shqiptare” shpjegon në detaje shenjat e sëmundjes dhe masat thjeshta, që “rinojnë” këta pacientë.

Doktor, çfarë është andropauza?
Andropauza është një koncept i ri, i studiuar 20 vitet e fundit si dukuri klinike. Ka pasur një debat për termin “andropauzë”, ndaj shkencëtarët kanë vendosur ta quajnë hipogonadizëm. Fjala hipogonadizëm do të thotë ulje e nivelit të testosteronit. Tek mashkulli, një nga hormonet kryesore që jep karakteristikat mashkullore, që janë: qimet, muskujt etj. është testosteroni. Nëse do të kemi mungesë të nivelit të testosteronit dhe kjo mungesë është para pubertetit, atëherë kemi një patalogji shumë të rëndë që është hipogonadizmi, që shpeshherë është i lindur. Këta meshkuj janë fatkeqë në drejtim të zhvillimit të tyre: kanë mungesë qimëzimi, mungesë shtati, organe seksuale të pazhvilluara, sëmuren shumë më shpejt, janë të paaftë për të bërë jetë seksuale të shëndetshme dhe nuk kanë mundësi riprodhimi. Nëse mungesa e testosteronit ndodh pas pubertetit, kemi të bëjmë me sëmundje serioze që ndodh te fëmijët. Kemi dëmtime të organeve të testit dhe sigurisht që kjo patologji lidhet me riprodhimin. Ndërkohë që, në rastin e andropauzës kjo ndodh për arsye se kemi një rënie të nivelit të testosteronit në një moshë mbi 40 vjeç. Me rritjen e moshës fillon ndryshimi i qelizave të organeve, që shoqërohen me shumë sëmundje. Në rastin kur kemi ulje të nivelit të testosteronit nën 3.46 nanogram/ ml, atëherë kemi të bëjmë me rastin e andropauzës.

Përveç faktorit moshë, a ka faktorë të tjerë që ndikojnë në uljen e nivelit të testosteronit?
Çdo sëmundje në drejtim të dëmtimit të testeve jep ulje të nivelit të testosteronit: një traumë, një infeksion, sëmundjet kanceroze, kanceri i prostatës, etj. Për shembull, në rastin e kancerit të prostatës meshkujt duhet të marrin trajtim për uljen e nivelit të testosteronit për të ulur agresivitetin e kësaj patologjie, në mënyrë që të parandalohet një sëmundje shumë herë më e rrezikshme. Përtej këtyre rasteve, ulja e testosteronit vjen në mënyrë të natyrshme dhe pothuajse të pakuptimtë: në mënyrë të heshtur. Me kalimin e viteve, rëndohet dhe pacienti fillon të ketë ankesa.

Cilat janë disa nga shenjat e andropauzës?
Një nga shenjat e para është se pacienti nis të ankohet për disfunksionin eretik, pra impotencës seksuale. Testosteroni është nja nga hormonet kryesore që është i lidhur me ereksionin, pra me aktivitetin seksual. Dëmtimi i nivelit të tij bën që qelizat, enët e gjakut, që janë përgjegjëse për ereksionin të dëmtohen dhe të mos funksionojnë ashtu siç duhet. Në rastin konkret, këta persona kanë pamundësi për të bërë aktin seksual. Kjo shoqërohet edhe me rënien e dëshirës seksuale: pra nëse themi që dëshira seksuale është një proces, një moment i vendosur në bazë të një gjëndre që ndodhet në tru, që është përgjegjëse për dëshirën seksuale, pavarësisht se nuk kemi patologji që kanë lidhje me këtë gjëndër, shikojmë që këta persona kanë rënie të dëshirës seksuale. Po ashtu, ata kanë një këputje, lodhje të përgjithshme. Janë persona të cilët lodhen shpejt për shkak të funksioneve metabolike që luan testosteroni. Testosteroni është një nga hormonet kryesore në metabolizmin e muskulaturës dhe sigurisht ulja e nivelit bën që këta persona të kenë dobësim të muskulaturës. Po ashtu, këta persona kanë një djersitje të pakuptimtë gjatë natës. Një tjetër shenjë e rëndësishme është anemia e pashpjegueshme. Tjetër shenjë është osteoporoza. Një nga shkaqet e frakturave të ndryshme në një moshë mbi 60 vjeç është andropauza. Këtyre personave u prishet edhe gjumi: flenë gjatë ditës dhe zgjohen gjatë natës. Po ashtu, bëhen edhe më depresivë: nuk flasin, mbyllen në vetvete.

EVIN DANI
Si diagnostikohet andropauza?
Gjendjet e mësipërme, pacienti i ka në mënyrë të heshtur dhe shpeshherë familjarët nuk i kuptojnë dot. Shpesh ne dëgjojmë fëmijët që iu thonë prindërve, kur i shohin të lodhur se përse dalin nga shtëpia. Po ashtu, kur konstatojnë aneminë u japin hekur, por nuk e kuptojnë që kjo anemi u vjen nga mungesa e testosteronit. Po ashtu, kur këta persona bëhen depresivë, gjithë familjarët thonë: “u fut në dhomën e vet sepse nuk dëgjon dot zhurma” dhe nuk e kuptojnë dot se kjo vjen nga ulja e nivelit të testosteronit. Gjithmonë këto shenja justifikohen me faktorin moshë. Për fat të keq, këto shenja nuk njihen as nga mjekët e familjes. Ata kërkojnë një sërë analizash dhe në fund nuk arrijnë të zgjidhin dot problemin. Përgjithësisht ata nuk u kërkojnë të bëjnë një analizë për të matur nivelin e testosteronit. Ndaj do të ishte mirë që testosteroni të bëhej nga të gjitha moshat e pse jo të futej edhe në paketën e check-up-it.

A mjekohet andropauza?
Në momentin që ne konstatojnë ulje të nivelit të testosteronit, atëherë mund të themi që në këtë rast kemi andropauzë. Ndërkohë që marrja e mjekimit me testosteron këta person i bën ‘si dita me natën’. Nga një person i lodhur, anemik, i depresuar, me djersitje natën, pa kryer aktin seksual, ata rinohen. Marrja e testosteronit ua bën jetën të shkëlqyer, shumë aktive dhe njëkohësisht ndihmon dhe familjarët, sepse një burrë në moshë të thyer e që ankohet është një barrë për ta, sidomos me jetën aktive që bëjnë aktualisht. Është një gjë shumë e thjeshtë: bëj analizën e nivelit të testosteronit, merr mjekimin dhe ndryshimi është i jashtëzakonshëm. Është një problem lehtësisht i diagnostikueshëm.

Në çfarë moshe një mashkull duhet të fillojë të dyshojë se është duke kaluar andropauzën?
Zakonisht shenjat e para fillojnë mbi moshën 50 vjeç, por mbi moshën 60 vjeç ne duhet të kemi kujdes dhe të fillojmë marrjen e testosteronit. Ndërkohë që, te moshat e reja kemi të bëjmë me patologji të tjera, që vijnë nga faktorë të tjerë.

Kur duhet të drejtohet një mashkull te mjeku, nëse ka dyshime se është duke kaluar andropauzën?
Të gjithë meshkujt që kanë probleme me shëndetin riprodhues, impotencën apo edhe me patologji të tjera që lidhen me dëmtimin e organeve seksuale duhet të drejtohen te andrologu, që është mjeku specialist. Shpeshherë ndodh që pacientët të drejtohen te specialisti i gabuar, duke marrë dhe mjekimin e gabuar.

ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU