Një shkrim në gazetën ‘Rilindja Demokratike’ është bërë shkak që analisti Eduard Zaloshnja të nisë një padi për shpifje.
Përmes një reagimi publik, Zaloshnja shprehet se kërkon një dëmshpërblim prej 100 mijë eurosh pasi shkrimi i Arben Shahinit e atiketon padrejtësisht si ish-agjent të Sigurimit të Shtetit.
Reagimi i Zaloshnjës:
Në një artikull të RD-së të datës 9 korrik, të shkruajtur nga Arben Shahini, ka shpifur se kam qenë një spiun i hershëm i Sigurimt të Shtetit, dhe se jam një njeri i paguar nga paratë e krimit, për të publikuar sondazhe të porosituara nga Edi Rama.
Për këto shpifje, do të depozitoj një padi civile për 100 euro dëmshpërblim moral, si për autorin Arben Shahini, edhe për kryeredaktorin Bledi Kasmi. Ky i fundit kishte për detyrë të verifikonte shkrimin e Shahinit, para se ta botonte. Mjaftonte që ai të pyeste Berishën (i cili duhet t’i ketë fotokopjet e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), dhe do të kishte marrë vesh se unë jo vetëm që s’kam qenë spiun i Sigurimit të Shtetit, por kam qenë i survejuar prej tij.
Më tej, Kasmi, si kryeredaktor, duhej t’i kishte këruar gazetarit të tij fakte ose prova për financimin nga krimi të sondazheve të mija, të cilat, në fakt, kushtojnë fare pak, sepse i kryej në mënyrë elektronike.
Më vjen keq që do të padis në gjyq gazetën ku kam botuar artikujt e mij të parë, por , të paktën në këtë rast, ajo është bërë më shpifëse ndaj meje, seç ka qenë dikur Zëri i Popullit.