Analistët kosovarë: Pa opozitë, Parlamenti i ngjan sistemit totalitar

Strategjia e re e partive opozitare në Kosovë për braktisjen e seancave të Kuvendit të Kosovës e shpie vendin në pozicionin që funksionimi i Kuvendit t’i ngjajë një sistemi totalitar, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë. Ata theksojnë se një situatë e tillë ia humb kuptimin demokracisë. Kjo formë e funksionimit të Kuvendit të Kosovës, i përbërë vetëm nga partitë politike në pushtet, e shndërron atë në një institucion që nuk përfaqëson të gjitha grupet e ndryshme të shoqërisë dhe pikëpamjet e ndryshme politike, të cilat do të duhej t’i kishte një Kuvend. Analisti i Institutit Demokratik të Kosovës Albert Krasniqi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kuvendi pa opozitë do ta humbiste kuptimin e tij në aspektin politik.

“Do të krijohet një Kuvend, i cili do të kontrollohet tërësisht nga partitë në pushtet dhe nuk do të kishim fare opozitë në Kuvendin e Kosovës, çka na ngjan pastaj në një sistem totalitar; efekti do të ishte shumë më i madh dhe i ndryshëm nga bojkotimi i Kuvendit, ku ato ulëse do të mbeteshin të zbrazëta dhe nuk do të zëvendësoheshin me deputetë tjerë”, shton ai.

Megjithatë, sipas Krasniqit, në aspektin procedural, një Kuvend vetëm me deputetët e partive në pushtet, nuk do të kishte pengesa të funksionojë, pasi që ata mbulojnë dy të tretat e vendeve. Me këtë numër të deputetëve, siç thotë ai, Kuvendi mund të bëjë edhe ndryshime kushtetuese.

Në anën tjetër, analisti politik Imer Mushkolaj idenë e braktisjes së Kuvendit nga partitë opozitare nuk e sheh si një ide të mençur.

“Ndërrimin e strategjisë që nënkupton braktisjen e Kuvendit, nuk e shoh pozitive, duke pasur parasysh se kjo do të lë një zbrazëtirë shumë të madhe në atë që ata e quajnë shfrytëzim të jetës parlamentare. Vendi i opozitës është në Kuvend dhe ata duhet të shfrytëzojnë Kuvendin si institucionin përfaqësues për të provuar që t’i arrijnë qëllimet e veta”, shton Mushkolaj.

Opozita, shton Mushkolaj, duhet të shqyrtojë kundërshtimin e qeverisë duke ofruar alternativë konkrete qeverisëse.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU