Ambasadori suedez Johan Ndisi: Është me rëndësi që Reforma të zbatohet sa më parë

 

Intervistë e JAVANEWS me ambasadorin e Suedisë në Tiranë, Z. Johan Ndisi. Si e shikon ai Reformën në Drejtësi dhe punën e Shqipërisë për Integrimin Evropian. Ku mbështetet diplomacia e vendit të tij sa i përket Evropës Juglindore dhe angazhimet e Suedisë në Shqipëri. Pse ia vlen të investohet në Shqipëri…

Intervistoi Ben Andoni

Më 3 Tetor, Ambasadori i Suedisë në Shqipëri, Z. Johan Ndisi i paraqiti Letrën e Tij të Kredencialeve Shkëlqesisë së Tij, Presidentit Bujar Nishani. Ambasada e Suedisë u hap në Tiranë në vitin 2010 dhe kjo është hera e parë që Qeveria e Suedisë emëron një Ambasador rezident në Shqipëri, fakt që tregon interesin e këtij vendi për Shqipërinë… 

Çfarë nënkupton për Suedinë ngritja e përfaqësimit të saj në Tiranë?

“Emërimi mund të konsiderohet si një hap tjetër në fuqizimin e marrëdhënieve midis vendeve tona. Në vitet e fundit kemi konstatuar një numër në rritje të vizitave të nivelit të lartë, por gjithashtu kemi pasur edhe shkëmbime në rritje midis popujve të vendeve tona, duke përfshirë më shumë turistë suedezë që vizitojnë Shqipërinë. Disa hapa fillestarë janë ndërmarrë në lidhje me investimet dhe së fundmi, anëtarë të komunitetit të biznesit suedez ngritën një këshill investimesh së bashku me qeverinë shqiptare, të bashkëdrejtuar nga Kryeministri Rama dhe Ish Kryeministri Suedez Goran Persson. Suedia është një partner kryesor bashkëpunimi i Shqipërisë, me një asistencë që arrin deri në rreth 8 milion euro në vit, si edhe mbetet një mbështetëse e fuqishme e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.

Shkëlqesia Juaj, fillimisht urime për gradën tuaj të lartë diplomatike. A mund të na thoni diçka në lidhje me progresin tuaj profesional deri në momentin e ngritjes suaj në detyrë si ambasadori i vendit tuaj?

“Unë jam në Shqipëri që prej vitit 2015, fillimisht në pozicionin e Të Ngarkuarit me Punë të Ambasadës Suedeze. Përpara se të vija në Shqipëri, kam qenë Zëvendësdrejtori dhe Kryetari i Seksionit të Afrikës Perëndimore dhe të Bririt të Afrikës (Horn of Africa) në Departamentin e Afrikës në Ministrinë e Punëve me Jashtë në Stokholm. Gjatë karrierës sime, kam pasur një fokus të veçantë mbi çështjet e Bashkimit Evropian. Në Stokholm, kam punuar për çështjet për zgjerimin e BE-së dhe për ato ushtarake, si edhe kam shërbyer për katër vjet në Bruksel në Përfaqësinë e Përhershme të Suedisë në Bashkimin Evropian. Kam drejtuar njërin prej grupeve në Këshill gjatë Presidencës Suedeze të Bashkimit Evropian në vitin 2009. Besoj se eksperienca ime në çështjet e BE-së dhe të zgjerimit të tij do të jetë me vlerë në pozicionin tim si Ambasador i Suedisë në Shqipëri”.

Vendi juaj ka një përfaqësim të lartë në të gjitha vendet në rajonin tonë. Çfarë rëndësie ka Shqipëria në interesat politikë të vendit tuaj?

“Suedia mbështet integrimin e Shqipërisë në BE dhe zgjerimin e BE-së në përgjithësi si një instrument për reformën demokratike dhe ekonomike. Me anë të programit tonë të bashkëpunimit për zhvillim me Shqipërinë, Suedia ofron kontribut ndaj këtyre proceseve të reformave. Suedia gjithashtu i kushton vëmendje rolit konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe radhitjes së saj të vazhdueshme përkrah Politikave të Përbashkëta të Huaja dhe të Sigurisë së BE-së”.

Shteti juaj do të ketë një vend në Këshillin e Sigurimit, ndërsa Kosova, vendi i dytë në Ballkan me shumicë shqiptare të popullsisë synon të ketë një vend në Kombet e Bashkuara. Si pritet të ndikojë Kosovën por edhe vendet e thera të rajonit anëtarësimi i Suedisë?

“Siç e dini, Suedia e ka njohur Kosovën që prej vitit 2008 dhe këtë vit në Kosovë është emëruar një ambasador rezident. Suedia do të vazhdojë të mbështesë integrimin në Bashkimin Evropian dhe zhvillimin e Kosovës dhe të vendeve të tjera në Ballkanin Perëndimor. Si një nga donatorët më të mëdhenj të Kombeve të Bashkuara, presim me padurim të çojmë përpara angazhimin dhe idetë tona si anëtar i Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara. Suedia do të hyjë në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, më 1 Janar 2017 dhe në fakt gjatë Janarit do të fillojë në pozicionin e Presidentit të Këshillit. Ky do të jetë një muaj i rëndësishëm për faktin se në 1 Janar do të fillojë punën Sekretari/ja i/e re i/e Përgjithshëm/me i Kombeve të Bashkuara. Në këshillin e Sigurisë puna jonë do të përfshijë fuqizimin e lidhjeve midis sigurisë dhe zhvillimit dhe vënies së theksit në perspektivën e grave në situatat e konfliktit”.

Suedia e ka mbështetur fuqimisht dhe pa kushte anëtarësinë e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Si shpjegohet ky pozicion i pakushtëzuar?  

“Nuk do të thosha se Suedia e ka dhënë një mbështetje të tillë pa kushte. Progresi i Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian ka qenë rezultati i përmbushjes së kushteve të përcaktuara nga Komisioni Evropian. Hapja e negociatave për t’u pranuar në BE nënkupton përmbushjen e pesë prioriteteve kyçe për të cilat Shqipëria ka rënë dakord me Komisionin. Këto kushte janë përcaktuar nga BE-ja për ta përgatitur Shqipërinë që të bëhet anëtare e BE. Kjo ka ndodhur për arsye se Shqipëria duhet të jetë në gjendje të ndërveprojë në kushte të barabarta me Shtetet e tjera Anëtare , në mënyrë që të bëhet Anëtare”.

A do të jeni ju i përfshirë në vijim në Reformat që ka nisur Shqipëria? I referohem Reformës në Drejtësi dhe asaj zgjedhore.

“Suedia do të vazhdojë të mbështesë proceset e reformës në Shqipëri, duke përfshirë edhe bashkëpunimit tonë për zhvillim. Që të dyja reformat që përmendët janë reforma kyçe për zhvillimin e Shqipërisë në të ardhmen dhe integrimin në BE. Është e rëndësishme, që reforma e drejtësisë, e cila u miratua nga Parlamenti në Korrik, të zbatohet dhe që të vazhdojë puna mbi reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR. Për sa i përket sektorit të drejtësisë, Suedia po planifikon një projekt unik në fushën e drejtësisë për të mitur, duke përfshirë të gjithë zinxhirin e drejtësisë – policinë, prokurorinë, gjykatat, burgjet dhe shërbimin e provës – në bashkëpunim me homologët e tyre shqiptarë. Kjo është një qasje e re, e cila nuk është përdorur më parë – as në një program për zhvillim të Suedisë dhe as në Shqipëri”.

Cilat janë prioritetet aktuale dhe ato të së ardhmes, për sa i përket Bashkëpunimit për Zhvillim?

“Bashkëpunimi për Zhvillim i Suedisë me Shqipërinë synon të ofrojë asistencë në procesin e integrimit të BE. Ai përqendrohet në tre fusha: zhvillimi ekonomik, qeverisja demokratike dhe të drejtat e njeriut, dhe mjedisi. Suedia promovon gjithashtu të drejtat, burimet dhe përfaqësimin e grave dhe të vajzave, dhe ne synojmë të kemi një perspektivë gjinore në të gjithë projektet tanë. Suedia ka qenë një partner i rëndësishëm në fuqizimin e qeverisjes së nivelit qendror dhe lokal. Në nivelin lokal, kemi mbështetur reformën territoriale dhe atë administrative. Në Suedi, një pjesë e rëndësishme e qeverisë sonë është e decentralizuar ndaj nivelit lokal – në mënyrë që shërbimet të ofrohen më pranë qytetarëve – kështu ne kemi ndarë shumë nga eksperiencat tona për mënyrën se si i kemi trajtuar sfidat në qeverinë lokale, ç’ka shpresojmë se do të ketë dobi për reformat në Shqipëri”.

A keni krijuar ndonjë ide rreth burimeve ekonomike-turistike të vendit tonë?

“Shqipëria ka një potencial të madh në fushën e turizmit për shkak të natyrës së saj unike dhe trashëgimisë së saj të pasur kulturore. Shpresojmë ta shohim Shqipërinë të fuqizojë imazhin e saj si destinacion turistik dhe të shfrytëzojë plotësisht përfitimet e saj të mundshme ekonomike. Si pjesë e mbështetjes sonë ndaj zhvillimit ekonomik në Shqipëri, aktualisht Suedia po punon së bashku me Shtetet e Bashkuara për të promovuar turizmin e qëndrueshëm me anë të mbështetjes ndaj organizatave dhe biznesit të vogël dhe të mesëm”. (Javanews)

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU