Alibeaj akuzon KPK-në: Konfirmoi gjyqtarin Toska me urdhër të Ramës!

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj doli mesditën e sotme në një konferencë për shtyp, ku denoncoi procesin e vettingut. Ai e cilësoi këtë si një farsë të orkestruar nga Edi Rama, për të kapur sistemin e drejtësisë, ndërsa solli rastin e një gjyqtari të papërshtatshëm, sipas Alibeajt, që kaloi Vettingun me urdhër të kryeministrit.

“Meqë qeveria hesht për vendimet arbitrare të komisionit të vettingut, PD po sjell sot një denoncim, se si ky organ po minon procesin, për të vënë drejtësinë në duart e Edi Ramës. Ilir Toska, Gjyqtar i Gjykatës së Apelit në Tiranë, kaloi vettingun në muajin qershor, ndonëse DSIK kishte dorëzuar pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit një raport, që e cilësonte si të papërshtatshëm këtë gjyqtar, për të vijuar karrierën në drejtësi. Sipas raportit të DSIK, Toska ka marrë para në prani të një zyrtari të Ministrisë së Brendshme, për të mos dhënë një masë disiplinore ndaj një gjyqtari. Gjithsesi, Ilir Toska e kaloi me sukses Vettingun, pasi është kandidat i Edi Ramës, për Këshillin e Lartë Gjyqësor”, deklaroi Alibeaj.

Ilir Toska kaloi vettingun në muajin qershor, ndërsa gjatë seancës dëgjimore, relatori i KPK-së evidentoi shkresën e DSIK, që e cilësonte gjyqtarin si të papërshtatshëm, por tha se raporti ishte i paprovuar, ndaj edhe nuk e mori parasysh gjatë procesit.

ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU