Aleatët e Bashës kundër koalicionit me Idrizin: PDIU, jo dy javë majtas e dy javë djathtas!

Opozita është e përçarë përsa koalicionit me PDIU, dy ditë pasi Shpëtim Idrizi njoftoi daljen nga koalicioni me PS dhe bashkimin me opozitën.

Kreu i LZHK, Dashamir Shehi është treguar skeptik, për bashkimin me PDIU. “Kam bindjen se një forcë politike si ç’është PDIU, që dy javë majtas dhe dy javë djathtas sikur nuk shkon kjo punë”, deklaroi ai

Ai kërkoi që PDIU të korrigjojë zigzaget dhe qasjen politike

“PDIU, madje çdo lloj force politike është e mirëpritur në gjirin opozitar, përsa kohë që lëvizjen e saj e ka seriozisht dhe të sinqertë. Të mirëpritur janë dhe sigurisht ata i dinë mirë punët e veta. Por nga ana tjetër besoj se PDIU do të korrigjojë zigzaget dhe qasjen politike. Madje, kam bindjen se një forcë politike si ç’është PDIU, që dy javë majtas dhe dy javë djathtas sikur nuk shkon kjo punë.

Megjithatë, besoj se duhet të gjejnë një lloj akordi me Lulzim Bashën dhe me Partinë Demokratike që e kanë për detyrë, në fund të fundit. Pra thënë më drejtë, përpara se PDIU t’i bashkohet kampit opozitar duhet që të njihen me qasjen politike të PDIU, sa opozitare është ajo, ta dinë se çfarë kërkon dhe deri ku shkon bashkëpunimi me këtë parti. Si përfundim, gjykoj se kjo është detyrë e Bashës dhe e Partisë Demokratike”, tha Shehi në një intervistë për gazetën Sot.

Kundër koalicionit me PDIU ka dalë edhe Nard Ndoka.

Kreu demokristian Nard Ndoka është shprehur në mënyrë të hapur kundër koalicionit të Partisë Demokratike me Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet të Shpëtim Idrizit.

Koalicioni PDIU – PD,  si “pemë pa kokrra”!”, shkruan Ndoka në një reagim në rrjetin social, duke shprehur dhe mosaprovimin e tij për një aleancë të tillë.

Kreu i LZHK ka folur edhe për bojkotin e opozitës, duke kërkuar që debati të zhvillohet në parlament

“Por nga ana tjetër besoj, madje kam bindjen se opozita duhet ta përqendrojë aksionin e saj në Kuvend dhe komisione parlamentare, për t’u përballur me qeverinë, pas këtyre protestave, siç është ky tur i takimeve të së enjtes në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Thënë më troç, kjo përballje e opozitës me qeverinë është permanente, nga këtu e deri në zgjedhje kjo punë do të jetë. Kështu që jovetëm jam partizan i përqendrimit të aksionit në Kuvend, pasi po i vjen koha edhe kësaj pune. Por njëherë për njëherë, di të them që të enjten do të jemi në Durrës. Ndërkohë që javës tjetër do të vendoset me detaje se çfarë do të bëhet dhe kush do të jetë axhenda e opozitës“, deklaroi Shehi

Javanews/a.ç

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU