Albin Kurti kundër qëndrimit të Ramës për demarkacionin me Malin e Zi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është shprehur kundër qasjes së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama lidhur me demarkacionin me Malin e Zi.Edi Rama të mërkurën gjatë konferencës së përbashkët për media kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn, duke folur për demarkacionin, tha se kryeministri aktual i Kosovës nuk duhet të sillet si opozitar në postin që e mban dhe i ka kërkuar që të heqë dorë nga kauza e tij për demarkacionin.

Kurti ia ka kujtuar Ramës gjashtë marrëveshjet, memorandumin dhe shtatë detyrat konkrete që kishin dalë nga mbledhja e tretë e përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës që u mbajt më 3 qershor të vitit 2016.

“Marrëveshjet ishin të fushave të rëndësishme për ndërtimin e politikave të përbashkëta, në ekonomi e tregti, në fushat e energjisë, infrastrukturës, arsimit, kulturës dhe mjedisit, etj. Afatizimi i detyrave i jepte ngjyrë konkrete atyre marrëveshjeve. Shumë prej detyrave konsiderohej se do të realizoheshin brenda dy muajve”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Por ku jemi sot, pas më shumë se një viti, me ato marrëveshje? Askush nuk është mbajtur përgjegjës për moszbatimin e afateve, e as për ngadalësimin deri në ngecje të marrëveshjeve e detyrave. Askush nuk është pushuar nga puna. Ndërkohë realiteti kërkon një dinamikë krejt tjetër: afatizime, përgjegjësi, moral e vullnet për punë”, ka shtuar ai.

“E kemi mirëpritur qeverinë e re nga Partia Socialiste dhe z. Edi Rama, sepse kemi shpresuar që kjo qeveri do të angazhohet që mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, të krijohet një treg i përbashkët i mallrave dhe shërbimeve, një treg i unifikuar energjitik, një politikë e jashtme e bashkërenduar dhe e njësuar, një bashkëpunim edhe më i afërt në sektorin e sigurisë, si dhe një thellim i gjithanshëm i bashkëpunimit nga arsimi te shëndetësia dhe nga kultura te sporti”, thuhej në shkrimin e Kurtit.

Kurti ka shkruar se Rama po kërkon të përkrahjet një marrëveshje me të cilën Kosova humb 8.2 hektarë të territorit.“Por, ndërkohë që përparimet në këtë aspekt janë tepër të ngadalta, e më shpesh ceremoniale se sa përmbajtësore, ne dëgjuam se z. Rama po i kërkon z. Haradinaj, kryeministrit aktual të Kosovës, që të ndërrojë qëndrim për demarkacionin me Malin e Zi.

Z. Rama pra po kërkon që, kundër asaj që dëshmohet në harta, në dokumente zyrtare, nga profesionistët ekspertë, në mbamendje institucionale, në kujtesë popullore dhe me peticionin masiv qytetar, të përkrahet një marrëveshje e padrejtë që ia heq Kosovës 8.200 ha. të territorit”, ka shkruar Kurti. Kurti ka thënë se partia e tij do të merret me marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, derisa Ramës i ka bërë thirrje për realizimin e marrëveshjeve Shqipëri-Kosovë, përgatiti Koha. (b.an)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU