Akuzat e LSI, Mandija: Nuk frikësohemi dhe nuk intimidohemi nga asnjë lloj presioni

Pas deklaratës së Luan Ramës se po bëhen spastrime në administratë nga Task Forca që u ngrit në bazë të marrëveshjes mes PS dhe PD ka reaguar zv/ kryeministrja Ledina Mandija.

“Task Forca nuk do të intimidohet nga asnjë lloj presioni në ushtrimin e detyrës së saj. Jam e vendosur për të përmbushur deri në fund misionin për garantimin e zhvillimit të një procesi zgjedhor të qetë, të lirë dhe të ndershëm dhe nuk do të intimidohet nga asnjë lloj presioni në ushtrimin e detyrës së saj” deklaron Mandija.

Task forca për zgjedhjet, policia në zgjedhje dhe vendimi i KQZ ishin tre çështjet që përfaqësues të LSI-së kanë adresuar shqetësimet e tyre tek të gjithë ambasadorët e BE-së, përfaqësues të ambasadës amerikane dhe shefit të misionit monitorues të zgjedhjeve parlamentare 2017. Ndërsa Luan Rama në daljen për mediat akuzoi edhe Task Forcën për shkarkimet në administratë.

Objekti i këtij takimi ishte informimi për situatën politike në vend. Së pari, veprimin arbitrar të kundraligjshëm të Taks Forcës e cila në përpjekje për të bërë spastrime politike nga administrata publike, gjë që e dokumentuam me dhjetëra raste çka në fakt është parathënie e një tentative për të kontaminuar dhe deformuar të gjitha parimet kushtetuese dhe zbatimit të ligjit në funksion të fushatës së zgjedhjeve” deklaroi Luan Rama sot.

Deklarata
Task Forca nuk do të intimidohet nga asnjë lloj presioni në ushtrimin e detyrës së saj

Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija, në cilësinë e drejtueses së Task Forcës sqaron se, Task Forca në zbatim të VKM Nr.473, datë 1.06.2017, ka për qëllim koordinimin e procesit të monitorimit të sjelljes së administratës shtetërore apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017.

Task Forca përmes rolit të saj koordinues nxit paanshmërinë dhe trajtimin e barabartë të kandidatëve e partive politike në marrëdhëniet me administratën shtetërore dhe burimet e saj, për krijimin e kushteve të drejta e të barabarta për të gjithë kandidatët dhe partitë politike në procesin elektoral, si dhe mospërdorimin e fondeve dhe burimeve publike për qëllime partiake.

Task Forca ka në përbërjen e saj Ministrin e Punëve të Brendshme; Ministrin e Mbrojtjes; Ministrin e Financave; Ministrin e Arsimit dhe Sportit; Ministrin e Drejtësisë; Ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin; Ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore; Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave; Drejtorin e Departamentit të Administratës Publike; Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit; Drejtorin e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, në Ministrinë e Financave.

Mbledhjet e Task-Forcës janë të hapura dhe transparente në to marrin pjesë: Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil; Avokati i Popullit; përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme; përfaqësues nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në mbledhjet e Task-Forcës ftohen të marrin pjesë  edhe përfaqësues nga organizma ndërkombëtarë, në rastet kur gjykohet e nevojshme marrja e asistencës teknike lidhur me cështje të procesit zgjedhor.

Ministritë dhe organet e tyre të varësisë janë institucione kompetente, brenda fushës së tyre të përgjegjësisë shtetërore, të cilat duhet të ndjekin administrativisht dhe pa vonesa çdo referim/kallëzim nga qytetarë apo punonjës ose zyrtarë të ndryshëm si dhe, sipas rastit të referojnë në prokurori rastet kur ka dyshime të arsyeshme për kryerjen e veprave penale që kanë lidhje me zgjedhjet.

Zëvendëskryeministrja Mandija siguron opinionin publik se është dhe do të jetë e vendosur për të përmbushur deri në fund misionin për garantimin e zhvillimit të një procesi zgjedhor të qetë, të lirë dhe të ndershëm dhe nuk do të intimidohet nga asnjë lloj presioni në ushtrimin e detyrës së saj. /ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU