Aksidenti fatal në Laprakë, 28-vjeçarja vdiq se nuk kishte vënë rripin e sigurimit

Gjykata e kryeqytetit lë në burg pa afat autorin e aksidentit të rëndë që ndodhi tri ditë më parë, në zonën e Laprakës në Tiranë, me pasojë vdekjen e një vajze 28-vjeçare dhe plagosjen e dy personave të tjerë.

Seanca për shtetasin Ervin Bixhi, 26 vjeç, i arrestuar për aksidentin e rëndë mesnatën e 4 janarit, është zhvilluar dje në Spitalin Ushtarak.

Gjyqi është mbajtur në spital, ku shkuan gjyqtari, bashkë me përfaqësuesin e Prokurorisë dhe avokatin, pasi i dyshuari për krimin është në gjendje të plagosur. Sipas vendimit të dhënë dje nga Gjykata, është pranuar kërkesa e Prokurorisë për mbajtjen në arrest me burg të 26-vjeçarit Ervin Bixhi, deri në përfundim të hetimit.

Vendimi u dha këtë të shtunë në spitalin e traumës, ku autori i aksidentit po mbahet i shtruar dhe nën mjekime, pas aksidentit të rëndë, ku mbeti edhe vetë i plagosur. Sipas Policisë dhe Prokurorisë, shtetasi Ervin Bixhi, 26 vjeç, akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe drejtim mjeti në mënyrë të parregullt. Policia ka deklaruar se ai drejtonte mjetin në gjendje të dehur, mbi normën e shpejtësisë dhe nuk respektoi semaforin në Laprakë, mëngjesin e 5 janarit, kur u përplas me makinën e një efektivi të Policisë.

Ervin Bixhi udhëtonte me një makinë “Xhip”, kur u përplas me makinën e drejtuar nga oficeri i Policisë, Gjergj Koliqi. Si pasojë e aksidentit të rëndë, mbeti e vdekur shtetasja Xhenis Trebeshina, 28 vjeçe, si dhe u plagos pasagjerja tjetër në makinën e autorit, shtetasja Flavia Furriku, 26 vjeçe. Nga përplasja e fortë mes makinave, mbeti i plagosur edhe efektivi i Policisë, shtetasi Gjergji Koliqi.

Prokuroria ka thënë dje para gjykatës se policia ka dyshime mbi përdorimin e alkoolit dhe shkeljen e semaforit nga i ndaluari, ndërsa theksoi se është në pritje të ekspertizave përkatëse.

Nga ana tjetër, si provë është paraqitur videoja e aksidentit, e cila ka fiksuar momentin e përplasjes mes dy makinave dhe çastin kur viktima Xhenis Trebeshina del nga xhami i përparmë i makinës së Ervin Bixhit, pasi siç dyshohet, nuk ishte e fiksuar me rrip sigurimi.

Nga hetimi i kryer deri tani nga ekspertët e Policisë, është vënë re se efektivi i Policisë, Gjergj Koliqi, ka qenë duke u kthyer në të majtë me mjetin e tij, në drejtim të Spitalit të Traumës, në kryqëzimin e Laprakës.

Pikërisht në momentin që polici ka nisur të futej në kryqëzim për t’u kthyer, ka ardhur makina e Ervin Bixhit, e cila ka qenë me shpejtësi të lartë dhe ka shkelur semaforin, duke marrë përpara automjetin ku ndodhej efektivi i Policisë.

Përplasja i shkaktoi vdekjen e menjëhershme 28- vjeçares Trebeshina, ndërsa tre personat e tjerë mbetën të plagosur dhe u dërguan në spital për ndihmë mjekësore./Panorama

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU