Aksidentet, Policia Rrugore, dhe ç’mund të bëjnë kompanitë e sigurimeve

Nga Eduard Zaloshnja

Megjithëse në dekadën e dytë të këtij shekulli është rritur ndjeshëm numri i automjeteve që qarkullojnë në Shqipëri (si pasojë edhe e vizitorëve që vijnë me automjete nga vendet përrerth e përtej), numri i i të vdekurve dhe të plagosurve rëndë nga aksidentet rrugore ka njohur një trend linear ulës (shihni grafikun 1). Kështu, në vitin 2011, vdiqën nga aksidentet rrugore 322 persona, ndërsa vjet vdiqën 100 persona më pak. Në vitin 2011, u plagosën rëndë 448 persona, ndërsa vjet 85 më pak. Dhe trendi ulës ka vazhduar edhe në 7-mujorin e parë të këtij viti (shihni grafikun 2).

Rënia e numrit të të vdekurve dhe të plagosurve rëndë në aksidente rrugore mund të ketë ardhur si rezultat i përmirësimit të kushteve të rrugëve dhe të sinjalistikës paralajmëruese rrugore, por edhe si rezultat i ashpërsimit të kodit rrugor dhe zbatimit më rigoroz të tij nga Policia Rrugore. Në fakt, gjatë viteve të fundit, Policia Rrugore ka qenë më prezente, si në rrugët e Shqipërisë me gjobat e saj, edhe në mediat kombëtare e lokale me këshillat dhe paralajmërimet e saj.

Po pavarësisht përmirësimit të situatës së aksidenteve rrugore, kur pjestohet numri i të vdekurve me numrin e automjeteve në qarkullim, Shqipëria krahasohet në rajon vetëm me Bosnjën. Në krahasim me Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi, ky tregues tek ne është pothuaj dy herë më i lartë.

Edhe pse kodi rrugor është ashpërsuar (dhe mund të ashpërsohet edhe më tej), Policia Rrugore nuk ka një shkop magjik për ta përgjysmuar numrin e të vdekurve dhe të plagosurve rëndë nga aksidentet. Rreth 600 policët e saj në terren nuk mund të jenë prezent në çdo kilometër rrugë, në çdo orë të ditës e të natës. Bota e zhvilluar ka kohë që ka futur teknologjinë në punë, për ta kryer këtë funksion.

Kamerat që fotografojnë automjetet në kryqëzime rrugësh (kur kalojnë me semafor të kuq) janë të kudondodhura në vendet e zhvilluara. Gjithashtu janë të kudondodhur radarët  dhe kamerat që fotografojnë automjetet që tejkalojnë shpejtësinë apo që kryejnë parakalime të gabuara. Në disa vende ka sisteme që masin shpejtësinë mesatare të automjetit nga pika A e një autostrade në pikën B (pjestohet distanca me kohën e përshkimit të saj). Kohët e fundit po përdoren gjithnjë e më shumë dronët lëvizës, që shërbejnë si syri i policisë rrugore, për të identifikuar dhe gjobitur përdoruesit e celularëve në timon dhe shkelësit e tjerë të kodit rrugor.

Por çfarë fiton shoqëria nga këto teknologji të reja? Nga një studim që kam kryer në Virxhinia për kamerat që fotografojnë automjetet në kryqëzime rrugësh (kur kalojnë me semafor të kuq), më rezultoi se shoqërisë i kursehej mesatarisht 28 mijë dollarë në vit për çdo kryqëzim. Kursimi vinte nga pakësimi i pasojave të aksidenteve, si njerzore edhe materiale. Kjo, ngaqë u pakësua numri i aksidenteve të rënda në kryqëzime, gjë që uli kostot shëndetësore, të invaliditetit, të dëmeve të automjeteve, etj. etj. Përfituesit e këtyre kursimeve ishin kompanitë e sigurimeve (të cilat paguajnë dëmet kur ndodhin aksidente), shteti i Virxhinias dhe xhepat e qytetarëve të saj.

Po kush kishte paguar për kamerat në Virxhinia? Një konsosrcium kompanish sigurimi. Ato kishin pajtuar një kompani teknologjike për të instaluar kamerat dhe sistemin e centralizuar të gjobave që viheshin ndaj atyre që kalonin kryqëzimin me semafor të kuq, dhe me të ardhurat nga gjobat mbulonin investimin dhe realizonin fitim. Në këtë mënyrë, ato dilnin dy herë të fituara – edhe kursenin nga pakësimi i pasojave të aksidenteve në kryqëzime, edhe fitonin nga investimi i kryer. Ndërsa qytetarët e Virxhinias fitonin nga ulja e numrit të automjeteve që mund të vinin e të përplaseshin me ta, ngaqë frika e gjobës ulte numrin e shoferëve që futeshin në kryqëzim me semafor të kuq.

Një investim të ngjashëm (jo vetëm për kryqëzimet) mund të bëjnë kompanitë e sigurimeve në Shqipëri. Ato kanë të ardhura pothuaj të garantuara si sektor (ngaqë pagimi i siguracionit është i deturuar për rinovimin vjetor të lejes së qarkullimit), por shpenzimet e tyre varen nga pasojat e aksidenteve rrugore. Sa më të rënda pasojat, aq më të mëdha shpenzimet e kompanive të sigurimeve. Është në interesin e tyre që të krijojnë një konsorcium për investimin e teknologjisë më të fundit rrugore, me synim që drejtuesit e automjeteve të kenë sa më shumë frikë nga gjobat që mund të marrin (duket se frika për kuletën i tut më shumë shoferët shqiptarë, se sa frika për jetën).

Që një investim i tillë të funksionojë, qeveria shqiptare duhet të marrë përsipër që të krijojë një sistem të saktë adresash, në mënyrë që gjobat e vëna përmes teknologjisë të shkojnë në adresën e duhur, ose që policia të arrestojë drejtuesit e mjeteve (kur konstatohet se drejtuesi i mjetit të fotografuar e drejton atë pa leje drejtimi apo kur shkelja është e rëndë). Vetëm në qoftë se qeveria merr përsipër mbledhjen e gjobave (apo arrestimin e drejtusve të mjeteve në raste ekstreme), do të kishte kuptim instalimi i një sistemi teknologjik që regjistron shkelje të kodit rrugor në mënyrë automatike (pa prezencën e policit rrugor në terren).

Në këtë mënyrë, kompanitë e sigurimeve do të dilnin dy herë të fituara – edhe do të kursenin nga pakësimi i pasojave të aksidenteve rrugore, edhe do të fitonin nga investimi i kryer. Ndërsa qytetarët do të fitonin nga ulja e numrit të automjeteve që mund të vijnë e të përplasen me ta, ngaqë frika e gjobës do të ulte numrin e shoferëve që shkelin kodin rrugor…

a.ç

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU