Akademia e Shkencave, pas zgjedhjeve farsë, një pseudo-reformim farsë! 

Nga Artan Fuga

A do ta ngopin me “lugë bosh” kryeministrin Edi Rama duke i servirur një “supë” bajate përgatitur nga ministria e arsimit dhe akademia e shkencave në “kusinë” e reformimit ? Apo do të bëjë ai sikur u arrit ta reformonin Akademinë e Shkencave një institucion i mykur nga brenda ?
—————

Deklarim për projektligjin e përgatitur nga komisioni i ngritur në ndërtesën e ministrisë së arsimit për akademinë e shkencave më datën 27.03. 2018.

—————–

Të nderuar zonja dhe zotërinj akademikë !

Ne sot po na paraqitet një projektligj i përgatitur nga një komision i ngritur pranë zyrave të ministrisë së arsimit për reformën e akademisë të shkencave.

Mua më vjen keq të konstatoj që ai tekst është shumë larg pritshmërive të mia, dhe nuk realizon aspak qëllimin e këtyre muajve të gjatë përpjekjesh për reformimin e Akademisë të Shkencave pas zgjedhjeve farsë që kulmuan një periudhë dështimesh në veprimtarinë e Akademisë së Shkencave për shkaqe që tashmë i kam shprehur më parë dhe kryesisht të gabimeve të kryesisë të saj dhe personave të lidhur për interesa me atë politikë.

Ky projektligj nuk është në nivelin e pritur sepse më së pari nga ana e ministrisë së arsimit dhe me kolaboracione të pamandatuara dhe të veçuara nga akademikë të ndryshëm u bë një mbivendosje komisionesh.

Nga komisioni ad hoc për reformimin e akademisë, ngritur nga asambleja në nëndor të vitit të kaluar u kooptuan disa antarë dhe u vendosën ata në komisionin e ministrisë së arsimit. Kjo ishte një lëvizje e gabuar dhe e qëllimeshme sepse ndër të tjera bllokoi de facto punën e komisionit ad hoc për reformim të asamblesë së shkencave.

Tê gjitha komisionet si i akademisë dhe ai në zyrat në ministri kanë punuar në mënyrë të mbyllur dhe të izoluar duke mos shkëmbyer dhe marrë mendime nga seksionet, si edhe nga asambleja e akademisë të shkencave.

Me insistim kam kërkuar që të gjitha punimet dhe rezultatet e njëpasnjëshme në hartimin e projektligjit të bëheshin të njohura dorë pas dore akademikëve, por as kjo nuk ndodhi.

Madje as edhe një mbledhje e asamblesë së akademisë të shkencave nuk iu kushtua analizës së gjendjes si edhe strategjive të reformimit. Kjo ka sjellë një pasivitet të patolerueshëm dhe të mjerueshëm nga akademikët çka na bën përgjegjës përpara komunitetit të kërkuesve dhe shoqërisë duke mos e justifikuar besimin e marrë e duke vendosur në rrezik vetë akademinë.

Edhe për gjykimin e këtij projekligji nuk na u la më shumë se 72 orë, madje edhe ato gjatë fundjavës sikur do të kishte urgjencë për ta mbajtur tekstin e projektligjit në duar një javë dhe debatuar nëpër seksione.

Në proces-verbalin e seksionit të shkencave shoqërore është shënuar zyrtarisht se akademikët nuk kanë pasur asnjë dijeni se çfarë po përgatitej.

Përpos mbivendosjes së komisioneve duke bërë një punë të mbyllur në zyrat e ministrisë, edhe sot duhej të ishte mbledhur asambleja e akademisë për ta analizuar këtë projekt-ligj dhe nuk kishte përse akademikët të vinin si “dele”, të thërritur nga komisioni i ngritur pranë zyrave të ministrisë.

Ne sot nuk mund të marrim asnjë vendim se çfarë do të bëjmë me këtë projekt-ligj.

Gjithsesi pas interesimeve të mia, ministria e arsimit, zonja ministre Lindita Nikolla, konsideron se dikasteri nuk ka marrë pjesë në hartimin e këtij projektligji dhe nuk e konsideron komisionin dhe punën e tij që që të shprehi edhe mendimin zyrtar mbi këtë çështje. Atëhere në emër të kujt na vjen ky projektligj?

Do të kishim pritur që një projekt-ligj të dilte pas një analize të gjendjes së Akademisë të Shkencave në këto vite, për të parë së çfarë do të duhej të bëhej ndryshe dhe të artikulohej ndryshe në ligj. Por, nuk ka asnjë analizë shoqëruese të këtij dokumenti që na paraqitet. Asnjë konkluzion që të vijë nga ndonjë studim i gjendjes nëpër seksione, madje nuk kemi as edhe një raport që të shprehi reflektimin e kryesisë mbi çfarë ka ndodhur në këto vite.

Ky projekt – ligj mbi të gjitha bie ndesh me ligje të tjera para tij sikurse është ai për arsimin e lartë. Ende ai konsideron se akademia e shkencave mund të koordinojë veprimtaritë e agjencive të tjera të kërkimit shkencor universitar ose jashtëuniversitar, ndërkohë kur këto prej kohësh janë autonome dhe të pavarura.

Këtyre njerëzve iu ka ngelur ora në vitin 1972, 1986, 1991.

Ai përmban ende mendësinë dhe insiston me kokëfortësi që akademia e shkencave të ketë një model të dështuar pra si të vegjetojë si një ombrellë institutesh kërkimore shkencore. Institutet që kanë dalë nga dera dhe po rihyjnë nga penxherja kur për krijimin e tyre ka ligje tashmë të aprovuar.

Ende mendohet akademia e shkencave pra ne, sikur jemi koka e sistemit të kërkimit shkencor, dhe akademia si instanca më e lartë e kërkimit shkencor në vend. Aq më tepër që shumë nga funksionet që i vishen akademisë të shkencave përmbajnë mendësinë e konsiderimit të saj si një institut shkencor më vete. Fara e dështimeve të ardhëshme nuk është flakur tej.

Ky projekt-ligj më shumë se një tekst ligjor, i mbushur me formulime në kundërsens dhe kontradiktore, i ngjan një statuti të keq dhe të mykur të funksionimit të brendshëm të akademisë.

Madje edhe më të centralizuar sesa më parë.

Kryetarët e seksioneve këtu na dalin edhe si antarë të kryesisë dhe kështu ne do të kemi jo vetëm një hierarki vertikale brenda seksioneve, por edhe antarë kryesie me dy statuse, disa të zgjedhur nga asambleja dhe disa të zgjedhur nga seksionet.

Ndërkohë konsiderimi i kryesisë si pjesë e administratës është një mendësi shkatërruese për akademinë e shkencave.

Poashtu paradoksal edhe konsiderimi i « akademisë së të rinjve» si pjesë e Akademisë të Shkencave është një paradoks logjik, pavarësisht se akademia duhet të ketë zgjatime të tilla veprimtarie jashtë saj.

Në këtë projektligj ku mungon dora e një juristi kushtetues, nuk sheh asgjë që të përbëjë një hop, një ndryshim, me kuadrin institucional dhe kuadrin juridik të mëparshëm të akademisë të shkencave.

Asnjë relacion bashkëshoqërues të tregojë “përse”-në e ndonjë ndryshimi. Thuhet se është konsultuar me akademi të tjera jashtë vendit por nuk kemi asnjë bazë dokumentare që të na bëjë të shohim qartë se mbi çfarë dhe në çfarë rruge është komunikuar dhe përse ky komunikim është mbajtur i mbyllur nga sytë dhe veshët e akademikëve.

Me dy fije letër nuk mund të mbyllen sytë se gjoja edhe “miqtë” nga jashtë na kanë dhënë pëlqimin.

Në cdo paragraf mund të bëhen vërejtje të rëndësishme për këtë projekt-ligj që e lë akademinë e shkencave me një model financimi dhe veprimtarish si më parë, ndërtuar pikërisht që të ruajë statukuonë tonë të deritanishme të papranueshme dhe me të drejtë të kritikueshme nga opinioni publik i vendit.

Por, duke qenë i gatshëm t’i paraqes këto kritika kudo dhe kurdoherë, problemi sot qendron që në parim ky projekttligj është i dështuar. Ai nuk na çon asgjëkund.

Duke ditur se komisioni ad hoc i reformimit të akademisë është bllokuar në funksionimin e tij, ka punuar larg akademikëve, seksioneve, larg asamblesë, me konflikte interesi, me superpozime me komisionin pranë zyrave të ministrisë së arsimit, unë mendoj se ka ardhur koha që ai të konsiderohet i shkrirë.

Ky është propozimi im për asamblenë. Kjo e fundit duhet të rimarri në dorë situatën dhe të mos vazhdojmë me aprovime njëqind përqind dhe duke duartrokitur të propozimeve që na vijnë, të cilat pastaj po ne kemi qenë të detyruar t’i braktisim, t’i harrojmë dhe të bëjmë sikur nuk kanë ekzistuar.

Një model i ri akademie shkencash është i mundur, por për këtë duhet ngritur mbi interesat e vockla, këmbënguljet në mendësitë shkuara dhe ngritur mbi egot individuale.

Akademia nuk mund të jetë një pleqësi lagjeje apo fshati si në kohët paraurbane.

Përsa më përket, gjithçka më sipër kam vazhduar ta vendos në qendër të vëmendjes, por të gjitha propozimet e mia kanë rënë si prej vitesh në vesh që nuk ka dashur të dëgjojë.

Unë do ta vazhdoj pandërprerë të ndjek bindjet e mia dhe me të gjithë kolegët akademikë dhe ata jashtë akademisë do të përpiqemi t’u japim autoriteteve propozime alternative.

Për këtë njoftoj se shumë shpejt do të paraqis një raport publik për veprimtaritë botuese dhe projektet shkencore, si edhe të tjera, që kanë shenjuar veprimtaritë e akademisë të shkencave në vitet e fundit.

Këtë raport do t’a paraqes publikisht.

Atje do të shohim, kam bindjen, disa nga pasojat serioze të mosfunksionimit të asamblesë dhe seksioneve, kryesisë, si edhe të gjithë Akademisë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU