“Ajri i ndotur, armiku që vret gjithkënd”

    Ka një armik të gjithkujt që ndodhet kudo ku jemi ne. Eshtë një armik i padukshëm që herë ngadalë e herë më shpejt vret, vret pa asnjë dallim këdo, fëmijë, gra e burra, të rinj e të moshuar. Edhe ata që mbijetojnë me gjatë, jetojnë shumë më keq. Ky armik quhet ajri që thithim. I ndotur dhe i rëndë ai është bërë një shqetësim i jashtëzakonshëm në Shqipëri dhe kudo gjetkë në botë. Profesorja e asocuar Silvana Bala i përgjigjet pyetjeve të Javaneës.al duke cituar një numër studimesh të saj vetjake, të kolegëve të saj në senatoriumin Shevqet Ndroqi dhe të ekspertëve më të mirë të kësaj fushe. Doktoreshë Bala, një nga autoritetet e mjekësisë shqiptare lëshon një alarm dhe një apel për më shumë vëmendje dhe preokupim për atë çfarë ndikon në jetën e kujtdo, tek të varfër dhe të pasur, të majtë e të djathtë, që ndëshkon foshnja dhe dënon me vdekje të ngadaltë e të mundimshme të moshuarit. Shifrat që dëshmojnë rrezikun, në Shqipëri dhe në botë janë dramatike.

    Nga Lorenc Vangjeli

    Çfarë është ndotja e ajrit dhe çfarë komplikimesh shëndetësore sjell ajo tek njerëzit në përgjithësi?
    Ndotja e ajrit është ndotja e atmosferës, domethënë shtimi i substancave (ndotëse) në atmosferë, që në kushte normale nuk do të ekzistonin. Në kohët moderne, ndotja është shpesh një rezultat i aktivitetit njerëzor. Ndotja e ajrit nga njeriu është shkaktuar kryesisht nga tre aktivitete të tij, industria, transporti dhe urbanizimi. Në një qytet tipik, industria është përgjegjëse për 50 për qind të ndotjes së ajrit, transporti 35 për qind, ndërsa urbanizimi 15 për qind. Njeriu është pjesë përbërëse e natyrës. Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaron se, 2,4 milion persona vdesin çdo vit nga shkaqe të lidhura në mënyrë direkte me ndotjen e ajrit, 1,5 milion nga këto vdekje i atribuohet ndotjes së ajrit në vende të mbylluar, që zakonisht njihen si vendet me ajër të pastër. Gjatë një viti ka më tepër vdekje nga ndotja e ajrit se sa nga aksidentet automobilistike. 310.000 europianë vdesin çdo vit nga ndotja e ajrit. Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit në SHBA deklaron se, nëse miratohen ndryshimet e propozuara nga vetë ajo, nga karburantet e makinave do të ketë 12.000 vdekje të parakohshme më pak, 15.000 infrakte më pak, 6.000 vizita në dhomën e emergjencave nga fëmijë me astmë, 8.900 shtrime në spital për probleme me frymëmarrjen ose aparatin frymëmarrës çdo vit. Problemi i ndotjes po behet faktor limitues per zhvillimin e metejmë te njerzimit.

    A ka ende depistime të popullatës dhe gjykoni se kontrolli mjekësor në fashën moshore 40-65 vjeç do të ndikojë në parandalimin në kohë të një sërë sëmundjesh nga blloku i atyre sëmundjeve që kuroni ju?
    Studimet epidemiologjike ambjentale dhe profesionale po bëhet më se të domosdoshme në ditët e sotme për vleresimin e riskut, si elementi kyç, për vlerësimin e lidhjes ndërmjet ndotjes së ambjentit dhe ndikimit të saj në shëndetin e popullatës ose të grup popullatave të ekspozuara. Faktorët më të rëndësishëm dhe më specifikë, që ndikojnë në zhvillimin e sëmundjeve pulmonare akute ( bronkiti akut, bronkioliti, astma bronkiale) dhe sëmundjes kronike obstruktive pulmonare (SPOK), janë ndotja e ambjenteve të punës nga pluhurat dhe gazet e dëmshme, pirja e duhanit dhe gjendja social ekonomike. Në vendin tonë këto studime janë bërë në mënyrë të vazhdueshme dhe kanë qënë studime epidemiologjike depistuese, por dhe studime vlerësuese të kryera në retrospektivë. Kosto e trajtimit të këtyre pacientëve është shumë e lartë dhe impakti në buxhetin e shtetit vlerësohet i konsiderueshëm si nga pikpamja e invalidizimit që japin këto sëmundje dhe nga kosto e lartë monetare e trajtimit medikamentoz.
    Depistime të popullatës, për sëmundjet e rrugëve ajrore, bëhen cdo vit nga Shoqata e Pneumologeve te Shqiperise. Ky aktivitet përkon me ditën botërore të SPOK-ut, e cila është në të enjten e javës së tretë të muajit Nëntor. Në vendin tonë i është kushtuar një vëmendje e veçantë depistimit të sëmundjes kronike obstuktive në puntorët e industrisë së rëndë dhe kjo jo pa qëllim. Në ditët e sotme vihet re një rritje e numrit të punonjësve, që kanë punuar në industrinë metalurgjike dhe që diagnostikohen me këtë sëmundje invalidizuese. Kjo nuk është rastësi, por është pikërisht koha e domosdoshme, që impakti i ndotjes së ambjentit të punës të manifestojë simptomat e sëmundjes dhe të tregoje tashmë instalimin e saj.
    Qëllimi i këtyre fushatave depistuese është zbulimi i të sëmureve në stadet sa më të hershme të sëmundjeve pulmonar, ku këshillat për ndërprerjen e duhanit apo ndërmarrja e masave mbrojtëse nga shteti për pastrimin e ajrit të ambjentit të punës, do te ishin tepër efikase për parandalimin e sëmundjeve, mos avancimin e tyre, por edhe ndihmuese ne trajtimin e sëmundjes diagnostikuese. Përsa i përket kontrollit mjekësor në fashën moshore 40-65 vjeç është i domosdoshëm dhe i rëndesishëm për kontrollin dhe prevenimin e sëmundjeve respiratore. Në popullatë ka shumë duhanpirës, te cilët kollën kronike e lidhin me vesin e tyre, por ato nuk dinë, që pas kësaj kolle mund te fshihet një sëmundje kronike pulmonare, apo mund të diagnostikohet hershëm nje kancer pulmonar.

    Sa e ndotur është realisht sot Shqipëria dhe sa e vuan këtë shkallë ndotjeje të ajrit? Cilët janë qytetet më të prekur në vend?
    Nga studimet e kryera kombëtare dhe nderkombetare rezulton se zonat urbane janë më të ndotura se zonat rurale. Perqendrimi i industrise afer zonave te medha të banuara, intesiteti i lartë i ndërtimeve të reja, trafiku i madh i automjeteve janë shkaqet kryesore, që qytetet të jene me një ndotje më të lartë se fshatrat.
    Në vendin tonë si zona me ndotje të lartë përmendim Tiranën, Elbasanin, Fierin, Vlorën, Durrësin. Këto qytete kanë një qarkullim shumë të madh të automjeteve dhe janë qytete, që çdo ditë ndryshojnë nga ndërtimet e reja. Elbasani ka një specifikë të vecantë përsa i përket ndotjes, mqs në këtë qytet metalurgjiku ka influencuar me një ndotje tëpër të lartë të atmosferës dhe impakti i kësaj ndotje shihet si në popullatë edhe në punonjësit e metalurgjikut. Zonat naftë mbajtëse paraqesin një ndotje të lartë për arsye të çlirimit të gazeve toksike nga puset e naftës, sidomos gjate çpimit të tyre.
    Tirana, si një qytet metropol, me një trafik të madh, me një intensitet të lartë të industrisë së ndërtimit, paraqitet gjithashtu me një ndotje të lartë të ajrit atmosferik. Përsa i përket trafikut, shkaktarë janë përdorimi i makinave të vjetra dhe konsumi i karburanteve me cilësi jo të mirë.
    Në Tiranë, si zona të ndotura paraqiten dhe vendet ku bëhet përpunimi i mbeturinave (zonat e plehrave). Tymi që clirohet nga djegja e tyre është një faktor i rëndësishëm i ndotjes.
    E gjithë kjo ndotje e ajrit ka impaktin e saj në shfaqjen e sëmundjeve respiratore.
    Më frekuente janë bronkitet alergjike, ashtma bronkiale, bronkitet akute dhe kronike, të cilat cënojnë dhe funksionin respirator. Depistimi i hershëm i tyre bën, që këto pacientë të trajtohen dhe të parandalojmë invalidizimin e tyre nga kroniciteti i sëmundjes respiratore.

    Çfarë masash gjykoni se duhet të merren në përgjithësi dhe në mënyrë urgjente dhe sa duhet të jetë përgjegjës shteti për cilësinë e jetës së shtetasve të tij?
    Propaganta mjeksore për ndërprerjen e duhanit, nëpërmjet mediave, apo fletpalosjeve duhet të jetë e para për mendimin tim, sepse ne duhet të bëjmë të vetëdijshem moshat e hershme, se fillimi i konsumit të duhanit është burimi i shumë sëmundjeve respiratore, qofshin këto invalidizuese por dhe vdekje prurëse, siç është kanceri pulmonar. Të sensibilizojmë të gjithë popullin se cfarë dëmesh sjell duhani për shendetin e njeriut.
    Ngritja shkencore profesionale e mjekut të familjes si pika e parë e kontaktit të të sëmurit me mjekun, i cili do të dyshoj për një sëmundje pulmonare dhe duhet ta dërgoj menjëhere tek mjeku pneumolog. Ndjekja e të sëmurëve kronikë nga mjeku i lagjes, apo pneumologu i dispancerisë, për të parandaluar infeksionet dytësore të mbivendosura në këtë grup pacientësh.
    Fushata depistuese në popull për të bërë të mundur diagnostikimin e individëve në stadet e hershme të sëmundjes, të cilët akoma nuk përceptojnë vetvehten se janë të sëmurë.
    Marrja e masave nga shteti për ti siguruar punëtorëve, që punojnë në vende të ndotura, maska mbrojtëse gjatë procesit të punës, ajrimin e vendeve të punës dhe vizita dhe ekzaminime të herë pas hershme të këtyre punëtorëve. Kontrolli i cilësisë së karburanteve dhe mos lejimi i përdorimit të makinave të vjetra.

    Cila është struktura e pacientëve, që kërkojnë ndihmë mjekësore në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” dhe çfarë lloj komplikimesh shëndetësore hasen më shpesh tek ta?
    Në spitalin tonë paraqiten të gjithë të sëmurët mbi moshën 14 vjec, të cilët paraqesin ankesa të sëmundjeve të mushkërive. Përqindjen më të lartë të shtrimeve e kanë të sëmurët me sëmundje pulmonare obstruktive kronike (SPOK.
    Kjo sëmundje ka si faktor riskant madhor konsumin e duhanit, qëndrimin në ambjente të ndotura me pluhura dhe lëndë toksike, infeksionet e përsëritura të sistemit respirator.
    Sëmundja në pjesën më të madhe të rasteve çfaqet pas moshës 40 vjec, për faktin se duhet një kohë relativisht 5-10 vjet, që individi të ketë punuar në një ambient të ndotur të punës me pluhura dhe gaze toksike, apo të ketë konsumuar duhan mbi 20 cigare në ditë.
    Kjo strukturë moshore, i korespondon dhe pacientëve të sëmurë me kancer pulmonar, të cilët në perqindjen më të madhe të tyre kanë pire duhan, apo kanë pasur impaktin e faktorit ndotës.
    Në spitalin tonë, gjithashtu ka nje fluks të madh shtrimesh në periudhën e dimrit edhe të pacienteve me komplikacione të gripit. Këto janë pneumoni virale dhe bakteriale të vendosura në rradhë të parë tek pacientët me sëmundje shoqeruese si: diabet, anemi, sëmundje kardiake, apo tek grate shtatzëna.
    Spitali jonë gjithashtu njihet nga populli, si spitali, që trajton sëmundjen e tuberkulozit. Vlen të theksohet, se sot kjo sëmundje është plotësisht e shërueshme në saj të terapisë së aplikuar dhe marrjes falas të saj. Numri i të sëmurëve me tuberkuloz i krahasuar me 10-20 vite më parë është ulur, por ajo cfarë është e rëndësishme dhe struktura moshore e këtyre të sëmurëve ka ndryshuar. Në ditët e sotme, kurba paraqitet më e lartë për të sëmurët në dekatën 6-7 të tyre dhe të semurë, të cilët kanë dhe sëmundje shoqëruese, si, diabet, apo sëmundje të tjera kronike.
    Të prekshëm nga tuberkulozi janë dhe ai kontigjent pacientësh, të cilët janë të sëmurë me HIV/AIDS, si rezultat i një imunodeficience të shkaktuar nga kjo sëmundje.

    Ka ndonjë studim shqiptar mbi duhanpirjen dhe ndikimin e tij në shëndetin e pacientëve shqiptarë?
    Për duhanpirjen dhe e efektet e këtij vesi në shëndetin e pacientëve janë bërë dhe bëhen në vazhdimësi studime si nga Instituti i Shendetit Publik dhe nga Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”. Kryesisht studimet epidemiologjike kryhen nga Institituti i Shendetit publik , ndërsa studimet klinike për të evidentuar lidhjen e duhanit me sëmundjet respiratore ndërmeren në spitalin tonë, por kjo nuk do të thotë se ne nuk kryejme studime bashkërisht epidemiologjike-klinike. Kështu vlen të përmendim studimet e bëre ne shkollat e mesme te Tiranës për konsumin e duhanit nga kjo moshë, Duhanpirjen në studentët e Fakultetit të Mjeksisë dhe të Infermierisë, Konsumi i duhanit nga personeli infermieror në QSUT. Këto studime janë paraqitur në evente dhe janë botuar ne periodikun kombëtar dhe atë ndërkombëtar.

     

    S'KA KOMENTE

    PËRGJIGJU