Erik ten Hag thotë se s’do të bëjë asnjë taktikë speciale për ta ndalur Ronaldon. Ekipi do të zbresë në Torino për të luajtur futboll ashtu siç bën ndaj çdo kundërshtari.
Pas barazimit të shkëlqyer 1-1 ndaj Juventusit në ndeshjen e parë të luajtur në “Johan Cruyff Arena, trajneri i Ajaxit, Erik ten Hag, është paraqitur në konferencë për media.
Ai pret përballje të vështirë të martën në “Allianz Stadium”.
Megjithatë, skuadra surprizë, që eliminoi kampionin e tri viteve të fundit, Real Madridin, është gati për përballjen vendimtare ku do të kërkojë një biletë për në gjysmëfinale të Champions League.
“Juventus është favorit, duhet të shënojmë, duhet të kapërcejmë çdo limit”, tha Ten Hag.
“Nëse luajmë mirë, mund t’ia dalim. Ata do të bëjnë diçka ndryshe. Javën e kaluar kontrolluam ndeshjen por nuk arritëm dot të shënonim më shumë se një gol. Mbrojtëm mirë, por pësuam. Besoj se Allegri do të ndryshoj diçka, ndaj ne duhet të përmirësohemi”, shtoi ai.
Ten Hag foli edhe për Cristiano Ronadon, njeriu që shënoi javën e kaluar në Holandë.
Pavarësisht se CR7 është i frikshëm dhe gjitha skuadrat e përgatisin në mënyra të ndryshme ndeshjen për ta ndalë atë, trajneri i Ajaxit s’do ta bëjë këtë.
“Ronaldo? Nuk do t’i vë një futbollist posaçërisht nga pas. Nuk do ta markojmë një kundër një, nuk e bëjmë kurrë me asnjë. Do ta trajtojmë si çdo futbollist tjetër”, deklaroi ai mes tjerash, pergatiti Gazeta Express.