Agonia e Akademisë të Shkencave dhe si mund të dilet prej saj

Nga Prof. Dr. Akademik Artan Fuga

Po botoj këto teza që analizojnë krizën institucionale dhe funksionale të Akademisë të Shkencave të Shqipërisë, që i kam paraqitur përpara Kryetarit të saj dhe këshillit ekzekutiv të Akademisë, zyrtarisht, në datë 17 mars 2016, duke kërkuar që të njihen me to të gjithë akademikët dhe më gjerë, përfaqësues të qverisë, shkencëtarë, etj.

Prej asaj kohe ato mbahen në gjendje “sekreti”, nuk e di për cfarë arsyeje dhe nga kush. Por, sigurisht që ende vazhdohet të vozitet mbi ujra të fjetura dhe të krijohen kushtet që Akademia të mos ketë reputacionin e duhur publik, të mos jetë efikase në rolin e vet, dhe sigurisht, për rrjedhojë të bëhet preh i goditjeve nga lloj-lloj arrivistësh jashtë saj që kërkojnë “trashëgimi” mbi të.

Kam mbi tre ose katër vjet, akademikët janë dëshmitarë, që ngre zërin brenda institucionit, për ta transformuar dhe kthyer atë në pozita funksionale.

Të gjitha sugjerimet dhe kritikat në vesh të shurdhër !

Nisem nga parimi i Tokëvilit, një institucion që krijon probleme me dobinë e vet sociale, atrofizohet dhe goditet nga jashtë në mos u shembtë nga brenda. Por, nuk i kam botuar. Sepse mendoja që të ruaja etikën sipas të cilës gjërat thuhen brenda institucionit kur je në atë “shtëpi”. Nuk bëhen llafet e shkencës në Pazar a nëpër kafenera. Por, e shoh se respektimi i heshtjes publike nuk të çon gjëkundi. Nisur nga fakti se rrugë të tjera nuk mu lanë dhe se pata njoftuar më parë institucionin se poqese nuk do të diskutoheshin këto probleme do t’i drejtohesha opinionit publik, po e mbaj fjalën.

Nuk kam mundësi tjetër të komunikoj me akademikët, përfaqësuesit e fuqisë publike me përgjegjësi për këtë gjendje, me komunitetin e kërkuesve shkencor dhe universitar, veçse nëpërmjet të mediave. Respekti ndaj institucionit nuk sigurohet me heshtje që shurdhon.

Unë mbetem i bindur katercipërisht se Shqipëria ka nevojë për një Akademi Shkencash, por ama që të mos transformohet dhe kuptohet si drejtori e shkencës pranë Ministrisë të arsimit dhe sporteve.

As të trajtohet sikurse tani Akademia si institut kërkimor shkencor.

Si duket disa nuk dinë format tjetër institucional veç drejtorisë dikasteriale dhe institutit kërkimor shkencor. Mbyllur në këto dy alternativa, që u fryjnë në vela, edhe ambicjeve egoistëve të disave, kjo e mirë publike, si Akademia, nuk e kryen dot funksionin e saj.

Por, duhet gjetur pozicionimi i drejtë për të. Modelet janë, por mungon vullneti për ta nxjerrë Akademinë nga agonia.

Mundësitë janë duke ja kthyer atë rolit të vet, por as rolit të kohës diktatoriale kur akademia ishte një censurë mbi kërkimin shkencor, jo akademikët tanë të nderuar e dijetarët e shquar përpara të cilëve përulem thellësisht), as në drejtori administrimi të instituteve kërkimore të ndodhur në gjendje mbijetese.

Ka një rrugëdalje të vërtetë.

1. Kriza institucionale e Akademisë të Shkencave dhe kaosi i saj

1.1. Mospërputhje : Midis Ligjit për Akademinë e Shkencave, Programit të qeverisë 2013 – 2017, nga njera anë, dhe dokumentit : Politikat prioritare (2015 – 2020) të Akademisë të Shkencave lidhur me statusin dhe misionin e kësaj të fundit.
Cfarë përcakton ligji?
« Akademia e Shkencave e Republikës të Shqipërisë (në vazhdim Akademia) është një institucion shkencor, që vepron nëpërmjet një bashkësie të zgjedhur shkencëtarësh. » (Neni 1)
Termi juridik i përdorur : « bashkësi e zgjedhur shkencëtarësh »
Ndërkohë që në Programin e qeverisë shkruhet :
« Qeveria do të mbështesë rritjen e kontributit shkencor të Akademisë së Shkencave sipas vizionit shkencor për zhvillimin e vendit. Gjithashtu, do t’i ofrohet mbështetje Akademisë të Shkencave për t’u bërë forcë shtytëse e veprimtarisë shkencore në vend dhe përfaqësuese e denjë e komunitetit shkencor.»
A flitet gjëkundi si në Ligj ashtu edhe në Programin qeveritar për ta kthyer Akademinë në një sistem institucional që të përfshijë në vartësi edhe institutet e kërkimit shkencor? Në asnjë vend!
Atë që tekstet normative nuk ja atribuojnë, Akademia aventurohet duke e marrë përsipër me kokë të saj prej disa kohësh. Ja si thotë dokumenti I politikave prioritare të saj :
« Pra, në këtë kuadër të reformave që ka ndërmarrë Këshilli i Ministrave, për arsimin e lartë si edhe për kërkimin shkencor, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si një institucion elitar shkencor me vlerë kombëtare, do të rivlerësohet duke rritur kapacitetet e saj në strukturën e kërkimit shkencor në Shqipëri, tashmë kur parashikohet që ajo të rimarrë në strukturën e saj institutet dhe qendrat shkencore duke i riformatuar ato në përputhje me strategjitë kombëtare të kërkim zhvillimit.
Cfarë guximi institucional! Të administrosh atë që nuk e ke!
Më tej në dokumentin e politikave prioritare të Akademisë për 2015 – 2020, duke dalë jashtë kuadrit institucional në fuqi pohohet drejpërdrejt :
« Vizioni : Krijimi i një sistemi të kërkimit shkencor dhe inovacionit, në standardet e gjithëpranuara, me role të qarta, instrumente, burime dhe kapacitete, i aftë të kryejë misionin e zhvillimit të vendit… »

1.2. Parimi i autonomisë institucionale : Mospërputhje midis përcaktimit ligjor dhe përcaktimit bërë nga dokumenti për politikat prioritare të Akademisë të shkencave (2015 – 2020)
Cfarë përcakton Ligji?
« Neni 1.
Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë (në vazhdim Akademia) është institucion shkencor, që vepron nëpërmjet një bashkësie të zgjedhur shkencëtarësh. “
“Neni 3.
Akademia është institucion autonom…”
Cfarë përcaktohet në dokumentin e Politikave prioritare (2015 – 2020) të Akademisë ?
Mosrespektim të parimit të autonomisë të institucionit bazuar sipas ligjit te veprimi i një bashkësie të zgjedhur dhe parashikuar jashtë kuadrit institucional në fuqi :
« Ndryshimi(n) e (i) modelit të qeverisjes brenda komunitetit shkencor… (duke bërë të mundur)… bashkërendimin, drejtimin dhe orientimet kryesore në komunitetin shkencor nëpërmjet një bordi ku të përfaqësohen aktorët kryesorë : qeveria, parlamenti, shkenca, biznesi…
Akademinë do e drejtojnë deputetët!
1.3. Paqendrueshmëri në përcaktimin e misionit institucional të Akademisë të Shkencave.
Përcaktimi ligjor : « Akademia…Bashkëpunon me institucionet kërkimore dhe mësimore, brenda dhe jashtë vendit, që kanë kapacitetet e nevojshme fizike për kërkim, për kryerjen e studimeve në fusha të ndryshme të shkencës » (Neni 4)
Cfarë tërheq vëmendjen në këtë përcaktim? Pohohet se :
a. Akademia bën kërkim shkencor
b. Ekskluzivisht nëpërmjet bashkëpunimit me institucione të tjera
c. Që kanë « kapacitetet e nevojshme fizike për kërkim »???
A ka vetë Akademia kapacitete fizike për kërkim ???
Përcaktimi i dokumentit të Programit qeveritar 2013 – 2017 : « …do t’i ofrohet mbështetje Akademisë të Shkencave për t’u bërë një forcë shtytëse e veprimtarisë kërkimore e shkencore në vend dhe përfaqësuese e denjë e komunitetit shkencor. »
Cfarë kuptohet me termin « forcë shtytëse »?
Si ta kuptojmë këtë metaforë të marrë nga fizika mekanike njutoniane?
A kryen dot vetë kërkim shkencor Akademia e Shkencave? A duhet ta kryejë duke u kthyer në një institut kërkimesh shkencore?
Konceptimi institucional në dokumentin e Politikave prioritare 2015 – 2020, i Akademisë të Shkencave :
« Akademia e Shkencave e Shqipërisë… do të rivlerësohet duke rritur kapacitet e saj në strukturën e kërkimit shkencor në Shqipëri. »
Kaos i paparë objektivash dhe qëllimesh institucionale :
Cilat nga tre misionet që vendosin theksin tre dokumentet do të mbahet:
a. « Bashkëpunim » për kërkim shkencor me institucionet që kanë kapacitete fizike për këtë??? (Ligji)
b. « Forcë shtytëse e kërkimit shkencor»??? (Programi qeveritar)
c. « Strukturë kërkimi shkencor »??? (Politikat e Akademisë)
Bazuar në dokumentin mbi Politikat prioritare të Akademisë të Shkencave, një argument bazë i dhënë për të themeluar politikat prioritare 2015 – 2020 është gjykimi kontekstual se :
« Strukturimi i komunitetit shkencor duhet kryer në funksion të efektivitetit duke shmangur fragmentarizmin dhe mosfunksionimin aktual e duke synuar zgjidhje bazuar në modele bashkëkohore… pasi « reforma e 2007 » e coptoi atë strukturë ekzistuese duke bërë joefektive Akademinë e Shkencave, institutet shkencore dhe nuk mundësoi vlerë të shtuar te IAL pasi dha efekte negative dhe dëmtoi kontributet modeste të shkencës shqiptare. »
Nga fakti se Akademia paska konstatuar degjenerimin intelektual dhe shkencor të instituteve të kërkimit shkencor, nxirret se duhet reformuar Akademia duke u kthyer në modelin diktatorial të para viteve ’90!!!
Apriori nënkuptohet sikur institutet e kërkimit shkencor vetëm nën kupolën e Akademisë mund të kenë sukses!
Problemet dhe pyetjet që lindin ?
a. Me cfarë matet efektiviteti i Akademisë të Shkencave? Kush e ka matur? Me cfarë parametrash? A ka një analizë dhe një përfundim të tillë nga Asambleja? Ka një dokument bazë analize?
b. Efektiviteti i Akademisë duhet bërë sipas cilit nga tre përcaktimet e dhëna:
– Bashkëpunim ?
– Shtysë ?
– Strukturë kërkimi ?
c. A ka një dokument studimor, një analizë institucionale për të bazuar përfundimin që institutet kërkimore dhe shkencore përpara vitit 2007 kishin rezultate më të mira sesa rezultatet e tyre kërkimore në vitin 2015?
d. Me çfarë provohet që kjo rënie e punës në institutet e kërkimit shkencor, sipas konstatimit në dokumentin e politikave prioritare të Akademisë, vjen nga « fragmentarizimi » dhe jo nga faktorë të tjerë, ta zemë nga buxheti i mjerueshëm i financimeve buxhetore për shkencën? A ka pra një analizë shkak – pasojë?
e. A ka detyrë institucionale Akademia e Shkencave të gjykojë sot veprimtarinë shkencore të instituteve të kërkimit shkencor që nuk kanë asnjë lidhje varësie apo funksionale me të?
f. Cfarë na jep të drejtën të mendojmë dhe supozojmë se përqendrimi i të gjithë kërkimit shkencor në një institucion të vetëm, do të sjelli efikasitet?
Cfarë logjike dhe metodologjie është kjo, sidomos kur pohohet nga një asamble shkencëtarësh!!!
Në çfarë ligji dhe praktikash institucionale të vendit dhe të huaja mbështetet kjo strategji që drejton prioritetet tona?
Në çfarë nga vendet europiane ndodh ky përqendrim ?
Ja si thotë dokumenti i Akademisë që kërkon :
«Përfshirja e instituteve shkencore në një skemë të re produktive, me qendër Akademinë e Shkencave, si institucioni qendror që përfaqëson unitetin dhe bashkërendimin e shkencës në vend, dhe më gjerë me botën shkencore » !!!
Kush guxon të mendojë se kërkimi shkencor në një vend të sotëm demokratik dhe të tregut duhet përqendruar në një dorë dhe institucion të vetëm?
E frikshme!
Cfarë bëhet me kërkimin shkencor në universitete?
Cilat përvoja mund të marrim në shqyrtim nga vendet europiane lidhur me funksionimin e Akademive të Shkencave?
Bazuar te një pyetje metodologjike thelbësore :
A janë të orientuara ato drejt objektit të kërkimit shkencor në nivel të parë, pra për të pasur, në nivel të parë, rezultate shkencore të dorës të parë, apo janë të drejtuara drejt një niveli të dytë të menaxhimit të rezultateve shkencore?

2. Përvoja institucionale

a. Académie des Sciences (France) :

« Akademia e Shkencave kryen :
– veprimtari të orientuara vendosmërisht drejt zhvillimit të një mjedisi gjithnjë e më të favorshëm për zbulimin shkencor
– duke organizuar kolokiume nëpërmjet dhe për bashkësinë e shkencëtarëve, me qëllim promovimin e shkëmbimeve shkencore në nivelin më të lartë.
– duke nxjerrë në pah shkencëtarët më të mirë, me qëllim që t’u japë atyre mirënjohjen që ata meritojnë me anë çmimesh dhe medaljesh për punimet e tyre.
– duke botuar Proces – Verbalet (raportet) e Akademisë të Shkencave, pra duke kontribuar në përhapjen e dijeve te bashkësia shkencore ndërkombëtare.

b. Akademia e shkencave, letrave dhe arteve (Itali)

« Akademia në fjalë ka për objekt të punës të saj :
– promovimin e zhvillimit shkencor,
– edukimin e shijes të mirë në letërsi dhe në artet e bukura,
– zhvillimin dhe përkyerjen e mundshme të shpirtit njerëzor,
– dhe nxitjen e zbatimit të tyre sa më të madh në të mirë të shoqërisë dhe lavdisë sa më tê lartë të Italisë. »

c. Royal Society (Royal Society of London for the Improvement of Natural Knowledge)

« Royal Society ka këto prioritete strategjike :
– Të investohet te liderat e ardhshëm dhe te risitë shkencore
– Të influencojë politikëbërjen me këshillat më të mira shkencore
– Të fuqizojë edukimin shkencor dhe atë në fushën e matematikës
– Të rrisi aksesin te shkenca më e përparuar në plan ndërkombëtar
– Të frymëzojë interesimin në gëzimin, vëmendjen dhe ndjeshmërinë te zbulimi shkencor. »

d. Cfarë është një raport bilanc vjetor i një akademie?

Studim rasti i Akademisë të Teknologjisë (Francë)

Format e konceptimit, strukturimit, editimit :
– Formati me kapak të kuq : Janë komunikime lidhur me cështje prioritare të trajtuara nga një ose disa akademikë (grup pune), pastaj janë të shqyrtuara në Komitetin e Cilësisë, janë paraqitur në Asamblenë e Akademisë, nuk janë votuar atje, pra nuk paraqesin mendimin zyrtar të Akademisê, dhe botohen, sipas vendimit të Këshillit Akademik.
– Formati me kapak jeshil : Janë dhjetë çështje të trajtuara nga një ose disa akademikë, sipas cështjeve të përcaktuara nga Akademia, ose Komiteti i Punimeve, sipas dhjetë pyetjeve që ata vetë kanë ngritur, ose të ngritura prej gazetarëve. Ato drejtohen një publiku masiv, jo të specializuar.
– Formati me kapak të verdhë : Trajtesa të përqendruara te historia e shkencave të aplikuara dhe të teknologjive në Francë.
– Trajtesa nga një ose një grup akademikësh sipas kërkesës të ardhur nga një agjenci ose shoqatë apo pushtet lokal, apo dikaster për të dhënë mendime, ose ekspertizë. Këto punime mund të botohen ose jo në funksion të vendim-marrjes të agjencisë porositëse.
– Në fund, Akademia, sipas interesimeve të saj, bashkëpunon në rrugë institucionale dhe të kontraktualizuar me partnerët e vet, dhe boton raportet e rezultateve të arritura.

Cilat janë karakteristikat e pozicionimit institucional të akademive të marra në shqyrtim si raste studimore dhe si matet dobia sociale dhe performanca e tyre ?
– Nuk ndërtohen si institute apo laboratore shkencore dhe as si struktura të mbivendosura drejtuese dhe kontrolluese ndaj institucioneve kërkimore shkencore.
– Nuk e masim aktivitetin e tyre duke kërkuar me përparësi rezultate shkencore të nivelit të parë, por si administrim, përhapje, reflektim, trajtim ekspertize, mbi rezultet e kërkimeve shkencore.
– Nuk masin thjesht aktivitetin shkencor të akademikëve në institucione të tjera, as në nivel thjesht individual, por masin vlerën e shtuar në politikat dhe operacionet e kërkimit shkencor që bëhen në kuadrin e institucionit të akademisë dhe që tërheqin funksionimin institucional dhe kolektiv të saj.
– Tematika e përzgjedhur për t’u trajtuar është e debatuar dhe e paravendosur në Akademi, sipas fushave që konsideron prioritare brenda një viti akademik dhe nuk është një rezultatnte e veprimtarive shkencore të përzgjedhura individualisht nga cdo akademik i veçantë.
– Raportet e akademive trajtojnë çështje të përmbajtjes dhe nuk janë lista bibliografike botimesh apo aktivitetesh.

3. Mjerimi i raportit të bilancit të Akademisë të Shkencave të Shqipërisë për vitin 2014:

a. Më shumë një paraqitje titujsh dhe tematikash sesa një raportim analitik mbi përmbajtjet.
b. Ka një thërmim të tematikave në dhjetra në mos qindra subjekte kërkimi shkencor pa pasur një përqendrim te prioritetet. Kjo shpjegon faktin se përse edhe klasifikimi i botimeve është sipas kriteresh formale dhe jo sipas prioriteteve.
c. Për projektet e realizuara nuk ka analizë arritjesh, gjetjesh, rekomandimesh,
d. dhe nuk janë kaluar në një paraqitje paraprake në Asamble dhe pothuajse mungojnë grupet e punës me akademikë
e. Botimet janë më shumë fryte të individualizuara të kryera në një kuadër jashtë Akademisë, madje të raportuara dy herë.
f. Akademikë që kanë bërë punë kërkimore individuale të paçertifikuar nga institucione të specializuara
Raportimi e pozicionon gabimisht Akdeminë si Institut kërkimi shkencor si të tjerët duke mos specifikuar potencialitetet dhe specifikat e saj.

4. Tematika të mundshme prioritare nisur nga potencialet (Strength) e Akademisë:

4.1. – Reflektime, ekspertizime, gjykime, analiza, përgjithësime në formë raportesh paraqitur shtetit apo agjencive rreth kërkimit shkencor, inovacionit dhe aplikimeve teknologjike në Shqipëri dhe në hapësirën mbarëshqiptare :
a – Etika e shkencës
b – Ndërdisiplinariteti në kërkimet dhe proceset e inovacionit teknologjik si edhe në formimin universitar shqiptar
c- Debati mbi metodologjitë e kërkimit shkencor dhe ripërtëritja e tyre mbi bazën e logjikave dhe aplikimeve të reja shkencore.

4.2. Strategjitë e menaxhimit të kërkimit shkencor dhe inovacionit teknologjik në Shqipëri dhe në botën mbarëshqiptare:
a. Analiza dhe raportime tematike dhe problemore mbi ecurinë e kërkimit shkencor në vend
b. Analiza dhe raportime mbi prioritetet e kërkimit shkencor dhe inovativ në vend dhe burimet e financimit të tij.
c. Ecuria e studimeve mbi Shqipërinë dhe shqiptarët : Problematikat dhe evoluimi i identitetit kombëtar dhe problemi të imazhit e reputacionit të tij.
d. Reflektime dhe rivizitime mbi aksiomat bazë dhe parimet e qendrueshme të kërkimit shkencor albanologjik.
e. Portali i arritjeve shkencore dhe inovative në Shqipëri / Cmimet, medaljet dhe konkurset e Akademisë për arritjet më të mira shkencore dhe në teknologji.
f. Ekonomia, shoqëria, shkenca dhe teknologjia si sisteme të ndërvaruara në Shqipëri. Ekspertiza dhe studime paraqitur institucioneve shtetrore.
g. Thirrje për kërkime shkencore në ekipe shkencëtarësh dhe kërkuesish dhe novatorësh nën logon e Akademisë të Shkencave dhe nën kujdesin e me financime të saj.
h. Portali i kërkimit shkencor doktoral në Shqipëri dhe analiza dhe monitorimi i vazhdueshëm i tij. Kërkimi doktoral i udhëhequr nga Akademikët dhe risitë e problemet e tij. Cmimi për kërkimin më të mirë doktoral të vitit.

4.3. Promovimi i rezultateve më elitare të kërkimit shkencor dhe teknologjik dhe e kërkuesve më të mirë shqiptarë

a. Revistat e shkencave natyrore dhe aplikimeve teknologjike mbarëshqiptare, si edhe ajo e shkencave shoqërore.
b. Botimet. Thirrjet publike për botimet më cilësore
c. Tribuna e Akademisë për kërkuesit shkencor dhe aplikuesit më aktivë të teknologjive të reja
d. Forumi akademik i muajit
e. Raporte dhe ekspertiza për reformat më të rëndësishme në vend. Panele, grupe ekspertimi, raporte ekspertize, forume debati qytetar në Akademi, etj.
f. Raporti shkencor i Akademisë për studimet prioritare me bashkëpunime të akademikëve, ose me thirrje publike për projekte kërkimi nën përzgjedhjen prioritare dhe financimin me partneritet të Akademisë.

4.4. Orientimi dhe mbështetja e aksesit në shkencën botërore
a. Busulla e orientimit bibliografik në kërkimin shkencor dhe teknologjik botëror.
b. Forumi i kërkuesve shkencorë të huaj dhe promovimi i tyre me cmime dhe tituj të Akademisë
c. Qendra dokumentare dhe e informacionit për aksesin në portalet bibliografike dhe bibliotekat në linjë
d. Portali i studjuesve shqiptarë në botë
e. Lëvizshmëria dhe çvendosja e kërkuesve shqiptarë në botë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU