Afrimi i këshilltarëve të LSI, PS siguron shumicën në disa këshilla

Partia Socialiste rimerr kontrollin në pesë këshilla të bashkive, si në Tiranë, Durrës, Fier, Gjirokastër dhe Belsh. Dezertimet masive, të organizuara dhe të pandalshme në radhët e këshilltarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë prodhuar një përmbysje të balancave, në favor të Partisë Socialiste, në disa prej këshillave bashkiake, të quajtura ndryshe si parlamentet vendore. Përmbysja më e madhe është shënuar fillimisht në këshillin bashkiak të Tiranës, për të vijuar më pas në bashkitë e tjera të mëdha dhe të vogla.

Pas prishjes së koalicionit PS-LSI, pasuar me rikthimin e aleancës mes LSI me PD, Partia Socialiste humbi shumicën në Këshillin Bashkiak të Tiranës, duke mbetur me 30 vota nga 61 në total. Por, katër dezertime të njëpasnjëshme në radhët e këshilltarëve të LSI, përmbysën balancat në favor të PS, duke e lënë opozitën e bashkuar me 27 vota. Këshilltarët Agim Kraja, Bora Panajoti, Genta Mezini dhe Naim Halili braktisën LSI, duke iu bashkuar PS, në fund të vitit të kaluar. Kjo lëvizje u pasur me akuza dhe kundërakuza me tyre dhe funksionarëve të LSI.

Përmbysja e dytë e madhe është shënuar në Durrës, çka trazoi kampin e LSI. Në këshillin bashkiak të Durrësit, PD-LSI kishin 29 vota, ndërsa PS dhe aleatët 22 vota. Në fund të vitit të kaluar, katër këshilltarë të Lëvizja Socialiste për Integrim, Adriana Hatellari, Iris Gruda, Sanije Doda dhe Skënder Korriku bashkuan votat me PS, duke mundësuar edhe kalimin e buxhetit. Edhe ky dezertim prodhoi reagime të forta nga ana e deputetëve të LSI.

Fieri, Belshi dhe Gjirokastra
LSI është tronditur edhe në Fier, ku pas daljes në opozitë, PD dhe LSI kishin shumicën në këshillin bashkiak. Drita Sauli, e cila kryesonte listën fituese të këshilltarëve të LSI në këshillin bashkiak të Fierit, iu bashkuar Partisë Socialiste, duke rikthyer shumicën në krahun e socialistëve. Me PS u bashkuan edhe këshilltarët e LSI, Natasha Yzeiraj dhe Thoma Tyto. LSI ka marrë një goditje të fortë edhe në Bashkinë e Belshit. Në këtë këshill bashkiak, PD-LSI kontrollonin shumicën, duke pasur 11 nga 21 vota në total. Por, kalimi i dy këshilltarëve të LSI në krahun e PS, i dha shumicën kësaj të fundit.

Balancat janë përmbysur edhe në këshillin bashkiak të Gjirokastrës. Në këtë këshill, PD dhe LSI kishin shumicën prej 16 votash nga 31 vota në total. Këshilltari i LSI Adrian Hyska dhe këshilltari i Partisë Republikane Arben Rexhaj iu bushakun Partisë Socialiste, duke kaluar shumicën në krahun e PS. Me PS kaloi edhe Selaudin Mosho, këshilltar i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, por vota e tij ishte konsideruar si pro PS.

Korçë dhe Kurbin
Në Këshillin Bashkiak të Korçës, Partia Socialiste kishte shumicën vetëm për një votë, 21 vota nga 41 gjithsej. Me dezertimin e dy këshilltarëve të LSI, Marilena Dervishi dhe Shkëlqim Larti, PS thellon diferencën në raport me dy partitë e mëdha në opozitë. Gjithashtu, eksodi në LSI kanë konsoliduar më tej shumicën e Partisë Socialiste në këshillin bashkiak të Vlorës dhe Devollit. Nga ana tjetër, lëvizja e katër këshilltarëve në drejtim të PS në Shkodër, nuk i kanë ndryshuar balancat në favor të PD dhe LSI në këtë këshill./Shqiptarja/a.m.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU