A janë zgjedhjet e parakohshme zgjidhje?!

Nga Skënder Minxhozi/

Në një shkrim të tijin sot, komentatori dhe kolegu Eduard Zaloshnja ngrinte pyetjen normale, rreth dobisë që do të kishin zgjedhjet e parakohshme për palët në lojë, nëse mbaheshin të themi gjatë verës së ardhshme. Zaloshnja bënte një analizë shifrore të përkrahjes së partive kryesore dhe të firos elektorale (sipas tij asnjëra nga partitë s’ka fituar vota) që ato mund të kenë, nëse shkojnë në zgjedhje në këto kushte.

E ngritur kështu, thjesht si një gjeografi shifrash, logjika e kolegut Zaloshnja nuk ka të sharë. Përse të shkosh në zgjedhje, nëse je socialist, në rast se do të duhet të negociosh edhe një herë me Ilir Metën për të bërë qeverinë? Edhe në qofsh demokrat në opozitë dhe ke dëshirën e natyrshme për të vajtur sa më parë në kutitë e votimit, pse do të duhet të lodhesh një vit para afatit kushtetues, nëqoftë se sërish nuk e mund dot shumicën aktuale?!

Çeshtja duket gjithsesi pak më e komplikuar sesa një shumatore e thjeshtë numrash. Sepse, përtej paradoksit në pamje të parë, të një përsëritjeje të raporteve aktuale të forcës në parlament edhe pas zgjedhjeve të mundshme të parakohshme, sërish asgjë nuk do të ishte më si më parë. Dhe ja pse!

Së pari, arsyeja me të cilën pozita po kërcënon me zgjedhje, ribën de facto të gjithë axhendën e fushatës. Nëse do të votohej këtë vit nën trysninë e një debati për reformën e dështuar në drejtësi, PS dhe Rama do të kishin shansin të bënin një fushatë të fokusuar totalisht mbi sulmin ndaj atyre që sipas tyre rrëzuan reformën. Një vit më pas, nëse do të votohej në fund të katërvjeçarit, në mënyrë normale, ata do të kishin një qeveri një vit më të lodhur dhe një axhendë punësh të kryera e të pakryera, për të cilat do të duhej të jepnin llogari. Nuk ka rast më të mirë për Ramën, sesa të gjejë një diversiv për sulmet disavjeçare për koncesionet, korrupsionin dhe bilancet e qeverisjes së tij.

Së dyti, nëse opozita hyn në zgjedhje tani, nën të njëjtën trysni të krijuar nga rënia e reformës, shanset e saj mund të ishin të rrezikuara, për të njëjtat arsye që ato do të avantazhonin Ramën.  Pra, ajo do të gjendej jo më në pozicionin e palës që sulmon një qeveri sipas saj të dështuar, por në pozitën delikate të atij që akuzohet nga foltoret e të majtës, si sabotuesi e reformës në drejtësi.

Së treti, një fushatë elektorale me axhendë të ndryshme nga ajo normalja (bilanci i qeverisjes, puna e kryeministrit, ministrave, deputetëve, mbajtja e premtimeve etj), pra e përqëndruar thuajse kryekëput tek sherri i reformës, do të krijonte dinamika zgjedhore të cilat janë të vështira për t’u analizuar nga ana shifrore. Për këtë arsye Rama dhe të tijët duken të bindur se kanë një avantazh të madh, në rastin e një fushate elektorale të provokuar nga dështimi i reformës, pasi piketat e vetë fushatës do të ishin të tjera nga ato të zgjedhjeve të vitit 2017.

1 koment

  1. dhe prape pyetja mbetet pa pergjigje: a munden ps+lsi+pdiu etj. te marrin 93 mandate nga zgjedhjet e parakohshme? zaloshnja thote jo, keshtu mendoj edhe une.

PËRGJIGJU