A është risk pritja e muxhahedinëve?!

Nga Ben Andoni

Larg bliceve dhe tam-tameve të politikës shqiptare të dy krahëve në lidhje me mbështetjen për reformat që dha vizita e sekretarit të shtetit John Kerry, mbeti një çështje, e cila nuk u zbardh zyrtarisht, por që duket se ishte thelbi kryesor i ardhjes së kryediplomatit amerikan. Ajo lidhet me ardhjen masive të muxhahedinëve të tjerë në Shqipëri. Ndërkohë që për katër orët e qëndrimit të sekretarit të shtetit pati interpretime për të gjithë politikanët kryesorë shqiptarë, ku nga minutazhi i takimit me Kerry-n u përcaktua edhe pro-amerikanizmi i qeveritarëve, që në Shqipëri është kthyer në fe.

Por në argumentin tonë janë anëtarët e organizatës Muxhahedin-e-Khalk. Habia më e madhe për publikun ishte lajmi i ekzistencës së 1000 prej tyre syresh në vend, por më shumë se kaq heshtja e madhe për ta dhe çështja e pritjes edhe të 2000-ve të tjerëve syresh në të ardhmen e afërt. Justifikimi është i pranueshëm për një shtet si Shqipëria: E gjithë masa e muxhahedinëve ka mbështetur Shtetet e Bashkuara të Amerikës në operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme dhe në luftën e saj kundër terrorizmit.

Qysh prej vitit 2003, kur në Irak hynë përfundimisht trupat amerikane, gati 3 mijë anëtarë të organizatës qëndrojnë të strehuar në kampin Ashraf, nën mbikqyrjen e SHBA-ve. Organizata e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNHCR, u ka njohur atyre statusin e refugjatit. Irani, shteti mëmë i tyre, nga viti 1979 e konsideron organizatën e-Khalk, si një lëvizje që përfaqëson tradhëtarët e atdheut. Ka një justifikim, sepse në Iran njihen histori pa fund të vrasjeve të njerëzve të thjeshtë prej tyre, ndaj ata u përzunë. Dhe, nuk mbaron këtu: anëtarët e organizatës, si rezultat i përzënies nga Irani, morën pjesë krahas Sadam Huseinit në vitet ’80, në luftën mes Irakut dhe Iranit. Atëherë dhe deri në gjysmën e dytë të viteve 90, Muxhahedinët e Popullit Iranian, emri ndryshe i tyre, u përfshin në listën e organizatave terroriste edhe nga vetë Shtetet e Bashkuara. Për fat, organizata MEK, akronimi i tyre, e ka pastruar veten tashmë nga lista e terrorizmit. Në 2009, Brukseli me një vendim të 27 vendeve anëtare të BE-së, kur problemet me Iranin ishin agravuar, vendosi t’i heqë nga lista e organizatave terroriste dhe në shtator të vitit 2012, një vendim i ngjashëm u mor edhe nga Shtetet e Bashkuara. Gjithsesi, armiku më i madh i tyre mbetet Irani edhe tani që vendi është më i hapur për Perëndimin. Jo më kot, udhëheqësja e tyre Maryam Rajavi, u kumtonte ushtarëve të grupit MEK: “Kurdët shtypini me tanke, ruajini plumbat për Gardën iraniane”. Kjo organizatë është ndër themelueset kryesore të Këshillit Kombëtar të rezistencës iraniane, në opozitë me dikur regjimin e presidentit Ahmadinexhad.

Për Shqipërinë, këto argumente, deri pak më parë, dukeshin shumë të largëta. Derisa pak vite më parë pasoi ardhja e dhjetra prej tyre në vend në kohën e Berishës. Ndaj tij pati kundërshti sporadike, por justifikimi zyrtar ishte se ata përndiqen dhe ky ishte një detyrim ndaj miqësisë me SHBA-në. Kështu do vijojë dhe ardhja e të tjerëve. “SHBA do të akordojë një fond prej 20 milionë dollarë për vendosjen e muxhahedinëve në Shqipëri. Ato do të shërbejnë për të ndërtuar objekte ku do të strehohen iranianët”, tha orët e fundit një zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Larg tyre, nëse arrihet ardhja e kësaj shume, atëherë Shqipëria do pajiset me një minoritet tjetër etnik. Që ndryshe nga të tjerët (prej vitesh e shekujsh residente), ndaj të cilëve nuk ka qenë aq dashamire, muxhahedinëve duhet t’u krijojë të gjitha kushtet e detyruar prej konjukturave. Dhe, realisht, heshtja dhe gadishmëria pa kushte e shtetit shqiptar, ndërkohë që ndaj refugjatëve sirianë është thënë se Shqipëria mund të jetë thjesht një strehë tranziti, ka ngritur shumë pikëpyetje. Veç ndihmës që do merret nga shteti amerikan, si do të funksonojë në të ardhmen financiarisht komuniteti i tyre, që njihet si problematik kudo në Evropë. Pse nuk shprehet më shumë UNHCR-ja në Shqipëri? Sa do munden të integrohen në jetën civile këta ish-luftëtarë në një vend të varfër, ku mungesa e burimeve jetësore shtohet për ditë. Si do e menaxhojë Shqipëria këtej e tutje problematikën e luftës kundër terrorizmit, kur çështjet që lidheshin me rekrutimin e ISIS-t na treguan krejt të papërgatitur.

A është ky një risk i madh për shpatullat e Shqipërisë? Është ende herët për të folur, sepse sa t’u dalë dehja e vizitës së Kerry-t disave prej politikanëve dhe inati për mostakimin të tjerëve, muxhahedinët do jenë në Shqipëri, duke kërkuar të drejtën e strehimit, sipas marrëveshjes. Kujt do ia kërkojmë arsyen e ardhjes së tyre më vonë?!

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU