603 intelektualë peticion për lirimin e Haradinajt

Në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë u prezantua sot peticioni me 603 nënshkrime të intelektualëve të Kosovës, të cilët kërkojnë lirimin e Ramush Haradinajt.

Historiani dhe përfaqësuesi i intelektualëve, Hakif Bajrami, në konferencën për shtyp tha se “ne nuk po kërkojmë asnjë privilegj, po kërkojmë drejtësi për Ramush Haradinaj”.

“Sot në emër të këtyre intelektualëve, në emër të drejtësisë, të barazisë e ftojmë drejtësinë franceze të japë drejtësinë e saj”, u shpreh Bajrami.

Sipas tij, peticioni do të dorëzohet sot në Ambasadën franceze në Prishtinë.

Haradinaj u ndalua më 4 janar nga autoritetet e Francës me një fletë-arresti të Serbisë të vitit 2004. Kreu i AAK-së aktualisht ndodhet në Francë, në lirim me kusht, mbi bazën e një procesi që po zhvillohet ndaj tij nga autoritetet franceze, bazuar në urdhër-arrestin e lëshuar nga Serbia përmes Interpolit. Në seancën e fundit të zhvilluar në 6 prill Gjykata e Colmarit në Francë e shtyu vendimin për çështjen Haradinaj për në datën 27 prill./b.d

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU