43 mijë pushues kanë marrë shërbime në qendrat shëndetësore verore

Qendrat shëndetësore verore vijojnë të jenë në shërbim të pushuesve, duke ofruar shërbim cilësor dhe të sigurt për ta. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë një interviste televizive foli për një sërë çështjesh të rëndësishme. E pyetur rreth funksionimit të qendrave shëndetësore në këtë sezon veror, ministrja bëri me dije se këto qendra kanë ofruar shërbime për 43 mijë pushues gjatë këtij sezoni.

“Ne kemi bërë një organizim të integruar jo vetëm në qendrat shëndetësore verore që kanë qenë 26 përgjatë gjithë bregdetit, por gjithashtu edhe në zonat malore.

Patjetër që turizmi ka qenë në nivele të përmirësuara këtë vit. Nga ana tjetër kemi vendosur stacione të autoambulancave, shërbimi kombëtar i urgjencës bashkë me strukturat e qendrave shëndetësore verore dhe spitalet gjithashtu kanë organizuar mirë këtë shërbim, duke ofruar shërbim për 43 mijë pushues gjatë këtij sezoni dhe ende vijojmë të japim shërbim në zonat bregdetare dhe ato malore. Sigurisht që ka diçka që duhet ta themi, ndihemi shumë më mirë si prindër, si qytetarë, në momentin kur ka shërbim shëndetësor të sigurt, ashtu siç je i sigurt për rendin, etj.”, – theksoi Manastirliu.

Duke u ndalur te vizitat e kryera, ministrja bëri me dije se për 95% të pushuesve që kanë marrë shërbimet në këto qendra shëndetësore, nuk ka qenë e nevojshme transferimi i tyre drejt spitaleve, pasi aty kanë marrë shërbimin e duhur dhe të kualifikuar.

“Unë e kam provuar vetë personalisht, jam e bindur se si unë dhe shumë pushues të tjerë, ku 43 mijë kanë marrë shërbim shëndetësor dhe është një fakt që duhet ta përmendim që 95% e pushuesve që kanë marrë shërbim në qendrat shëndetësore verore e kanë përfunduar trajtimin e tyre në qendrat shëndetësore verore dhe nuk janë transferuar në spitale. Kjo do të thotë që kemi patur një shërbim të aksesueshëm, por gjithashtu një shërbim cilësor”, përfundoi Manastirliu.

26 qendrat shëndetësore verore do të qëndrojnë të hapura gjatë gjithë sezonit veror, duke ofruar shërbime mjekësore për pushuesit që do të kenë nevojë.

ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU