Juventus takohet me Mino Raiolën për Pogba, ja çfarë ka vendosur

Drejtuesit e merkatos së Juventusit do të takohen sot pasdite me agjentin e lojtarëve, Mino Raiola, për të folur rreth të gjithë klientëve të tij, nga i riu Kean te më i rëndësishmi, Paul Pogba.

Marrëdhëniet midis klubit bardhezi dhe agjentit janë shumë të mira, megjithatë drejtuesit ndiejnë se ka ardhur koha për një qëndrim të qartë pas deklaratave të shumta të Raiolës rreth të ardhmes së francezit.

Qëndrimi i Juventusit është i qartë: Pogba nuk shitet. Bardhezinjtë nuk dëshirojnë ta largojnë 23-vjeçarin dhe planifikojnë ta mbajnë ende, çka do t’ia bëjnë të ditur agjentit të tij. Dhe, nëse dikush dëshiron ta blejë, duhet të bëjë një super ofertë dhe jo me një çmim “të arsyeshëm”, siç kishte lënë të kuptohej Raiola në një intervistë me gazetën spanjolle Marca pak ditë më parë.

Deri tani, klubi italian është i palëkundur, por merkatoja është e gjatë dhe ofertat e çmendura nuk mungojnë, sidomos nëse vjen ajo e përfolura për 120 milionë euro…

CM/d.i.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU