2015 / Në Durrës, 774 mijë udhëtarë dhe 744 mijë ton mallra

Tragetet e linjave të lundrimit nga Durrësi drejt porteve të Italisë dhe anasjelltas gjatë vitit të kaluar kanë transportuar thuajse të njejtin numër udhëtarësh, krahasuar me vitin 2014.

Nga statistikat operative të Autoritetit Portual, mësohet se gjatë periudhës 12-mujore të vitit 2015, tragetet janë shfrytëzuar nga 774.411 udhëtarë gjithsej, ose vetëm 271 udhëtarë më pak se sa periudha pararendëse. Krahasuar me vitin 2014, treguesit dëshmojnë një rritje prej 4 për qind në numrin e udhëtarëve në dalje, e po ashtu në numrin e përgjithshëm të udhëtarëve shqiptarë që kanë preferuar tragetet.

Kamionët me mallra në tragete kanë shënuar një rritje prej 3 për qind, ndërsa numri i përgjithshëm i automjeteve (autovetura, kamionë dhe trajlera) në tragete arrin në 216.288 mjete gjithsej, pak më i lartë se sa gjatë vitit 2014.

Tragetet në 365 ditë të vitit 2015 kanë kryer 1.090 lundrime, ose 43 më pak se sa numri i trageteve të regjistruar në hyrje dhe në dalje gjatë vitit 2014.

Numri i udhëtarëve në hyrje (365.128 gjithsej) vazhdon të jetë më i ulët se sa ai i udhëtarëve në dalje (409.283 gjithsej) nga vendi ynë drejt porteve të Italisë. E kundërta ndodh me autoveturat, mbi 82.509 në hyrje, ndaj vetëm 69.978 të tilla në dalje.

Tragetet e linjave detare nga Durrësi drejt Barit, Brindizit, Ankonës dhe Triestes (Itali) kanë transportuar një sasi të përgjithshme prej 744.405 ton mallra, ose 13.332 ton më shumë se sa në vitin 2014.

ATSH

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU