2 prilli, kush e drejtoi në prapaskenë gjyqin? Kush ishte në të vërtetë akuzuesi, prokurori e gjyqtari i çështjes?!

Gjek Celaj ishte zv.shef i policisë së Shkodrës në kohën e vrasjeve në 2 prill 1991. Pas ngjarjes së 2 prillit 1991 u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg. Celaj ka përfunduar në 1983 me rezultate të shkëlqyera, Akademinë e Rendit në Tiranë. Është folës i disa gjuhëve të huaja. Gjatë periudhës 1983 – 1990 kreu detyrën e zëvendësshefit të policisë në rrethin e Pukës. Në shtator të vitit 1990 u transferua me të njëjtën detyrë në rrethin e Shkodrës, ku pas 2 prillit u dënua.

Në mars 1997 doli nga burgu dhe në vitin 1999 u largua nga Shqipëria. Sot jeton në Kanada, së bashku me bashkëshorten, Veronikën dhe fëmijët, Julianin dhe Julindën. Ai ka botuar një libër mbi ngjarjet e 2 prillit, në hyrje të të cilit shkruan: Në kujtim të babait tim, Prek Gjon Celaj, i cili, në moshën 56 vjeç, pësoi infarkt vdekjeprurës vetëm pak minuta pasi mori vesh se Gjykata e Lartë e Shqipërisë la në fuqi vendimet e dy gjykatave më të ulëta që më dënonin me heqje lirie

Më poshtë hyrja e librit dhe rrëfimi i Celajt për gazetën DITA, botuar në Qershor 2013. Ribotohet me rastin e 2 prillit. Është një dëshmi e fortë dhe rrethana të panjohura më parë.

Nga Gjek Celaj

HYRJA: Për të mos shkuar larg në kohë dhe as në hapësirë, por vetëm në shekullin e 20-të, në pjesën më të zhvilluar dhe më të kulturuar të globit tokësor, në Evropë, me qindra milionë njerëz iu kanë shkuar mbrapa për një kohë mjaft të gjatë gjithfarë sharlatanëve politikë, duke i brohoritur, inkurajuar dhe përkrahur edhe kur ata kryenin vepra nga më mizoret, që njerëzimit i kanë kushtuar miliona jetë njerëzish të asgjësuara apo të munduara e sakatuara. Për fat të keq, popujt janë udhëhequr më shpesh nga emocionet se nga arsyeja, dhe kur ka mbërritur arsyeja ka qenë tepër vonë. Demagogë politikë, të etur për pushtet të përjetshëm, kanë luajtur me sukses në skenën e jetës shoqërore rolin e aktorit mahnitës, madje të adhuruar deri në Perëndi. Dhe, pas “duartrokitjeve frenetike”, ka ardhur zhgënjimi rraskapitës, i shoqëruar fatkeqësisht me shumë pasoja tragjike.

Veçanërisht në momente kthesash historike, aktorët politikë kanë korrur dhe korrin sukses të madh. Duke u vetëshpallur sipërmarrës të realizimit të nevojave dhe aspiratave të masave, duke mohuar gjithçka të realizuar deri para daljes së tyre në skenë dhe duke premtuar gjithçka kanë nevojë masat për të ardhmen, vagabondët politikë kanë tërhequr e tërheqin pas vetes miliona njerëz. Pasi sigurojnë pushtetin i përkushtohen tërësisht plotësimit të nevojave dhe të epsheve të tyre deri në perversitet dhe, ndërkohë, vazhdojnë të vetëpublikohen si bartës të së ardhmes, të progresit, të qytetërimit. Për të realizuar këtë ngrenë në institucion gënjeshtrën, mashtrimin, vishen me lëkurë qengji dhe shqyejnë “kopenë”, të bardhën e bëjnë të zezë e të zezën e paraqesin si të bardhë, të qenën të paqenë e anasjelltas. Dhe, ndërkohë, siç thoshte Noli, “Bota kënaqet me gënjeshtrën që shëtit nëpër skenë dhe jo me të vërtetën që rri në prapaskenë”.

Jo kujtdo i ndodh në jetë që të bëhet protagonist i ngjarjeve që marrin përmasa kombëtare apo të ndodhet në epiqendër të tyre. Dhe këtu është fjala kur njeriu gjendet në këtë pozicion krejt padashur ose, siç thotë populli: “pa ia bërë hyzmetin”.

Qëllimi kryesor i shkrimit të këtij libri nuk është kurrsesi vërtetimi i pafajësisë së të dënuarve, pasi është i pari gjyq në historinë e Shqipërisë që është bërë në praninë e kamerave televizive dhe mikrofonave të radiove dhe është transmetuar, ndonëse me shkurtime, prej tyre. Atje është dëshmuar e plotë kjo pafajësi për të gjithë ata që duan të vërtetën dhe të drejtën, atje regjimi mori goditje të fortë morale krejtësisht për faj të tij, kurse ne morëm dënimin e padrejtë. Ne dolëm nga salla e gjyqit të papërlyer në asnjë faj, ndonëse me pranga në duar.

E para varej nga e vërteta dhe nga ne që e mbrojtëm, kurse e dyta nga ata që kishin fuqinë dhe fatkeqësisht edhe të drejtën që të vendosin, sipas preferencave dhe interesave të tyre, çfarë është e drejtë e çfarë jo. “Forca mposht të drejtën”- thoshte Bismarku dhe e realizoi këtë më së miri në Kongresin e Berlinit, duke dëmtuar më shumë se askënd Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndoshta një nga të metat më të mëdha të organizimit politik e shoqëror të njerëzimit është fakti se peshorja e drejtësisë u është lënë në dorë historikisht atyre që kanë pasur apo kanë fuqinë, pra pushtetin politik.

E vërteta është se, si në vitin 1991, edhe sot e po ashtu edhe në të ardhmen, të vetmit njerëz, që iu intereson sinqerisht e vërteta rreth asaj ngjarje, janë të afërmit e viktimave si dhe të dënuarit padrejtësisht dhe të afërmit e tyre. Pjesës më të madhe të shoqërisë shqiptare i intereson vetëm si kuriozitet, ndërsa fajtorëve të vërtetë nuk u intereson fare njohja e së vërtetës. Më shumë nga të gjithë për këtë ngjarje çirren politikanët të cilët, megjithëse derdhin lot krokodili pa pushim, në të vërtetë ajo u intereson vetëm si armë për ta përdorur ndaj kundërshtarëve politikë.

Çfarë ndodhi, pra më 2 prill 1991 në Shkodër? Kush e organizoi dhe përse e organizoi grumbullimin e paligjshëm të qytetarëve? Kush, pse dhe si i vrau katër njerëz të pafajshëm dhe plagosi 13 të tjerë? Kush dhe pse e dogji një godinë që shërbente si seli e PPSH-së dhe tentoi të shkatërronte edhe ndërtesat e bibliotekës dhe radios së qytetit? Çfarë u luajt në prapaskenë para, gjatë dhe pas ngjarjes? Kush e drejtoi në prapaskenë gjyqin e quajtur të “2 prillit” dhe kush ishte në të vërtetë akuzuesi, prokurori dhe gjyqtari i kësaj çështjeje?

Këtyre dhe shumë pyetjeve të tjera merr përsipër t’iu përgjigjet ky libër.

Në libër përmenden shumë individë, duke u nisur nga kryetarë të shtetit dhe të qeverive e deri tek horrat e rrugës. Shumë prej tyre do të shqetësohen e madje inatosen nga leximi i librit. Fajin të mos e kërkojnë tek unë. Nuk po shkruaj për ta, por për sjelljet dhe veprimet e tyre që bien ndesh me normat e moralit të çdo kohe si dhe me ligjet e shtetit. Ndoshta do të bënin mirë të kujtonin thënien e Sokratit: “Njih veten”.

Detyrimi që duhet të ndiej çdo njeri ndaj së vërtetës është shtysa ime kryesore për ta shkruar atë. Gjithashtu, e ndiej si detyrë morale shkrimin e këtij libri edhe ndaj vuajtjeve shpirtërore, morale, fizike dhe ekonomike që kanë pësuar familja dhe të afërmit e mi, si dhe të të katër të dënuarve të tjerë.

Humbja e padrejtë e jetës së katër njerëzve të pafajshëm në atë ngjarje dhe spekulimi i paturpshëm me këtë fakt nga peshkaqenët politikë, është një tjetër shtysë që më ka çuar në vendimin për shkrimin e këtij libri.

Këtë libër ua drejtoj gjithë shqiptarëve si këshillë dashamirëse që, në asnjë kohë të mos e lejojnë veten të përdoren si mish për top nga gjithfarë sharlatanësh politikë, të cilët futen në historinë politike si heronj e dalin si kriminelë, vijnë si shpëtimtarë e dalin si vjedhës. Ua drejtoj gjithë punonjësve të policisë, oficerë apo nënoficerë, që, nëse dëshirojnë të punojnë në një nga fushat më të vështira dhe më të rrezikshme të veprimtarisë së shtetit, të maten mirë që pa ia nisur dhe pastaj të orientohen vetëm nga ligji. Më mirë të dënohen pse kanë zbatuar ligjin sesa të shpërblehen pse e kanë shkelur atë. Pa pak altruizëm, vështir se populli shqiptar do të krijojë shtet ndonjëherë.

Këtë libër ua drejtoj, gjithashtu, politikanëve të Shqipërisë, të cilët, nëse zotërojnë edhe sasinë më minimale të vlerave morale dhe nëse duan që të mos i mallkojë historia, të bëjnë ç’të duan, por me jetën e njerëzve të mos luajnë. Dhe së fundi, u drejtohem miqësisht gjithë atyre që dëshirojnë të punojnë në organet e drejtësisë, si prokurorë apo gjykatës, të mos degradojnë moralisht deri në atë shkallë sa në peshoren e drejtësisë të vënë gurët e politikës për të matur fajësinë apo pafajësinë e njerëzve. Mercenarizmi politik është gjithmonë i dëmshëm, por tek njerëzit e drejtësisë ai duhet të jetë i palejueshëm, pasi si dëmi, ashtu edhe përgjegjësia në këtë rast janë më të mëdha.

RRËFIMI: Më 2 prill 1991, pasi u zgjova nga gjumi dhe piva një kafe, rreth orës 07.00 shkova tek zyra e shefit të policisë dhe së bashku u paraqitëm tek kryetari i DPB. Çapajev Taçi na tha se kishte biseduar me kryetaren e Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Shkodrës, Terezina Marubin, dhe kishin rënë dakord që atë ditë, rreth orës 08.00 të bëhej një mbledhje në zyrën e saj ku, përveç shefit të policisë, të merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e partive politike të rrethit. Meqë, në situatën e krijuar, parashikohej të kishte përsëri grumbullime të paligjshme rreth orës 09.00, ishte menduar që në atë mbledhje të diskutohej, për daljen nga situata dhe pushteti ekzekutiv i rrethit t’u kërkonte të gjitha forcave politike të kontribuonin për eliminimin e trazirave, duke u bërë thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve të tyre për paqe e qetësi.

Më vonë do të merrnim vesh se atë ditë, më 2 prill 1991, qysh në orën 07.00, Çapajeve Taçi i kishte dërguar degës së PD të Shkodrës një shkresë me anën e të cilës i kërkonte që të ndërhynte për të qetësuar e shpërndarë anëtarët dhe simpatizantët e saj, përndryshe do të zbatohej ligji me vendosmëri. Siç u pa më vonë, ndonëse përmbajtja ishte formuluar me pak arrogancë, qëllimi kishte qenë gjithnjë i mirë, parandalimi i ballafaqimit të dhunshëm midis popullit dhe shtetit, të përfaqësuar nga policia.

Nuk besoj se ndokush në DPB besonte deri më 2 prill se këto grumbullime të paligjshme organizoheshin nga PD. Jo vetëm që sektori i Sigurimit të Shtetit që duhej të siguronte informacionin e fshehtë ishte paralizuar plotësisht, por, përderisa PD, me anën e kryetarit të saj S.Berisha kishte pranuar rezultatin e zgjedhjeve, ne besonim se këto tubime ishin spontane dhe shprehnin thjesht mllefin e akumuluar tek njerëzit për regjimin që po kalonte në muze. Koha do të tregonte se, ashtu si për probleme të tjera, ne po gabonim përsëri në gjykimet tona.

Në çastin kur po i bënim prezent Çapajev Taçit mundësit e pakta të forcave të policisë për përballimin e demonstrimeve të paligjshme, njoftohemi me radio nga patrulla e policisë se para selisë së PD-së kishte grumbullime njerëzish. Ishte ora 07.20’. U konsultuam me kryetarin e DPB dhe ai na tha (mua e Dilaverit) të niseshim për në qendër të qytetit dhe t’u kërkonim drejtuesve të PD-së të bënin çmos që njerëzit të shpërndaheshin. Nëse ata nuk ju ndihmojnë,- tha Taçi,- ju merrni masa dhe bëni të mundur shpërndarjen e tyre me forcën e policisë, por duhet të ndërhyni qysh në fillim pasi, po të bëhen shumë, nuk i përballoni dot.

Dolëm nga zyra dhe pasi hipëm në një makinë të policisë, vajtëm në qendër të qytetit. Lamë makinën rreth 50 metra larg selisë së PD dhe u nisëm për atje. Jo më shumë se 50-60 të rinj ishin grumbulluar para selisë së PD dhe thërrisnin parullat e një dite më parë, si dhe: “Eja, mblidhuni këtu-këtu!”. Gjërat e para që na bënë përshtypje ishte fakti se si kishte mundësi që këta njerëz, jo më larg se 3-4 metra nga dritaret e zyrave të PD bënin thirrje për grumbullime dhe askush nga drejtuesit e saj nuk reagonte. Së dyti, disa nga të tubuarit hynin e dilnin nga selia e PD me parulla në dorë, të cilat i merrnin ose i përgatisnin në ato zyra. Fillimisht menduam se në seli nuk duhej të kishte asnjë drejtues të asaj partie.

Kur iu afruam grumbullit të njerëzve, shefi i policisë iu drejtua atyre, “Çfarë bëni more çuna, nuk është mirë të bëni kështu. Sot nuk do ju lejojmë më të krijoni rrëmuja, prandaj ikni në punën tuaj!”.

Të gjithë heshtën, por e mori fjalën njëri prej tyre, një djalë i ri dhe i gjatë. Ai na u drejtua pa ndrojtje dhe na tha: “Ne nuk çajmë kokën për njeri, sot do ta djegim, pas pak do të vijnë edhe studentët”.

I thashë Dilaverit se studentët ishin në sistem korrespondence pasi ashtu kishin kaluar që në muajin shkurt me një urdhër të Ministrit të Arsimit. Shpejtuam që të takonim drejtuesit e PD-së. Hymë në seli dhe pamë se në zyrën që ndodhej në anën e majtë ishin mbi 10 vetë. Nuk ndodheshin P.Arbnori dhe Xh.Uruçi, përkatësisht kryetar e sekretar të PD për rrethin e Shkodrës.

Nga të pranishmit, njoha vetëm Ali Spahinë, deputet dhe anëtar i kryesisë së PD-së. Pasi i përshëndetëm, me ta komunikoi Dilaveri. Ai u tha: “Ç’bëni kështu? Ne dje i lejuam, por sot nuk mund t’i lejojmë më dhe, nëse ju nuk angazhoheni të na ndihmoni, ne do të zbatojmë ligjin”.

Disa prej të pranishmëve, e kryesisht Ali Spahia tha: “Ne s’kemi ç’u bëjmë, ata s’janë tanët dhe nuk na dëgjojnë. Edhe dje nuk na dëgjuan, prandaj s’merremi me atë punë.”

Një tjetër na tha, si me ironi: “Po ju a jeni shtet juridik, përse nuk i shpërndani me forcë?”

“Shiko zotëri,- i thashë,- kjo është rruga më e shkurtër, por ne dëshirojmë të mos përdorim forcën pasi ajo nuk sjell asgjë të mirë”.

“Nga ne mos prisni ndihmë,- tha Ali Spahia,- ju i dini vetë punët tuaja”.

Dukej qartë që kishte ndryshuar qëndrimi i tyre në krahasim me një ditë më parë, kur erdhën, qoftë edhe formalisht, e u folën të tubuarve.

Ndërsa ne po bisedonim, nga dritarja e asaj zyre që shikonte nga sheshi, pamë se rreth 100 nxënës të shkollës së mesme “Jordan Misja” po ecnin në resht dhe me mësues në krye po shkonin drejt godinës së PPSH-së së rrethit që nuk ishte më larg se 200 metra prej aty. Me ta u bashkua edhe grupi i të rinjve, që ndodhej qysh më parë para godinës.

Menjëherë m’u kujtuan fjalët e të riut që gjetëm aty 10’ më parë se “pas pak do të vijnë edhe studentët”. Nga e dinte vallë ky njeri se do të vinin nxënësit e shkollës, e cila ndodhej rreth 400 metra larg prej aty? Të ishte i rastit ky përkim?!

Duke mos pasur asnjë shpresë për ndihmë nga ana e PD-së, ne u përshëndetëm me bashkëbiseduesit dhe dolëm përjashta. Ndërkohë, me radio u njoftuam se Dilaverin po e prisnin për mbledhje në zyrën e Komitetit Ekzekutiv të rrethit. Hipëm në makinën tonë tip “Aro” dhe morëm rrugën për atje. Kur mbërritëm përpara asaj ndërtese, shefi i policisë zbriti nga makina për të shkuar në mbledhje dhe më porositi që të shkoja tek godina e PPSH së rrethit Shkodër dhe të merresha me shpërndarjen e demonstruesve. Nëse pranojnë, do të njoftoj me radio të mos zbatohet ligji, në të kundërt, ju shpërndajini sipas ligjit,- më tha Papare.

Në bazë të legjislacionit në fuqi, veprimet policore për shpërndarjen e grumbullimeve të paligjshme i drejtonte shefi i policisë dhe, në mungesë të tij, zëvendësshefi i policisë për shërbimet e rendit. Meqë Dilaver Papares i duhej të ishte në mbledhje, ligjërisht detyrohesha unë të drejtoja shpërndarjen e demonstruesve.

Godina e Komitetit Ekzekutiv të rrethit dhe ajo e Komitetit të PPSH-së së rrethit, sot fakulteti juridik i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, ndodheshin në perëndim të sheshit qendror të qytetit të Shkodrës, rreth 150 metra larg njeri tjetrit. Në mes tyre ndodhej një lulishte gati 100 metra e gjatë. Godina shtetërore ishte e vjetër dhe me një arkitekturë të huaj, kurse ajo partiake ishte e re dhe e mirëmbajtur.

Mbasi u ndamë me Dilaverin, shkova me makinë para godinës së PPSH-së së rrethit. Ajo ishte e gjatë rreth 50 metra dhe kishte përpara fasadës një trotuar 7-8 metra të gjerë. Pastaj, nga perëndimi vinte rruga kryesore e qytetit, e gjerë rreth 10 metra, por përpara kësaj godine zgjerohej dhe ndahej në dy degë. Njëra (kryesorja) vazhdonte drejt verilindjes, kurse tjetra kalonte midis poliklinikës së qytetit dhe shkollës së mesme “29 Nëntori” dhe mbërrinte në sheshin qendror të qytetit.

Kur mbërrita atje, pashë se një grumbull njerëzish ndodheshin tek hyrja e shkollës së mesme “29 nëntori” dhe po u bënin presion nxënësve të asaj shkolle për të dalë në demonstrime. Dukej qartë që situata do të evoluonte me shpejtësi, prandaj dhe duhej vepruar shpejt. Nëse duhej zbatuar ligji, kjo duhej bërë pa humbur kohë sepse kur të rritej numri i të grumbulluarve, mundësitë tona për të realizuar shpërndarjen do të ishin të barabarta me zero.

U përpoqa të lidhesha me radio me shefin e policisë, por ai nuk përgjigjej. Me sa duket e kishte mbyllur radion ose i kishte ulur asaj zërin në minimum për të mos penguar diskutimet në mbledhjen, që duhet të kishte filluar. Në ato çaste dëshiroja të dija çfarë i kishin thënë atij drejtuesit e tjerë të PD-së, pra, do të ndihmonin apo jo për shpërndarjen paqësore të demonstruesve. Sigurisht, që asnjë punonjës policie nuk dëshiron të ndeshet dhunshëm me turmat, prandaj ne këmbëngulnim në zgjidhjen pa dhunë.

Siç do të merrnim vesh më vonë, kërkesës së shefit të policisë, Pjetër Arbnori dhe Xhemal Uruçi, të pranishëm në mbledhjen e thirrur në Komitetin Ekzekutiv, i ishin përgjigjur negativisht. Pretendimet e tyre dhe arsyet e vërteta të refuzimit do t’i paraqesim në kapitullin pasardhës.

I gjetur në rrethana të tilla, u lidha me radio me kryetarin e DPB Çapajev Taçi dhe i bëra të qartë situatën dhe faktin që PD-ja e rrethit kishte refuzuar të na ndihmonte për shpërndarjen paqësore të demonstruesve me arsyetimin se nuk i lidhte asgjë me ta. Taçi m’u përgjigj se duhej të zbatoja ligjin dhe për këtë arsye do të më dërgonin edhe forcat që ishin në dispozicion për shpërndarjen e demonstruesve. U lidha me radio me oficerët që komandonin ato forca dhe i urdhërova të sillnin forcat  e tyre me makinë aty ku isha unë.

Rreth orës 08.10’ erdhën tri makina “Ifa” me policë e ushtarë, gjithsej rreth 80 vetë. Një togë prej rreth 30 policësh të ndërhyrjes së shpejtë, e komanduar nga një oficer i ri, Sejdin Alia, kurse dy togat e ushtarëve i komandonin dy oficerë të tjerë të rinj, Luigj Lulaj dhe Kol Malçi. Policët ishin të pajisur me pistoleta në brez dhe shkopinj gome në dorë. Kishin gjithashtu mjetet mbrojtëse, mburoja dhe skafandra plastike. Kurse ushtarët kishin vetëm mjetet mbrojtëse dhe shkopinjtë e gomës në dorë.

Vura re se në secilën prej tri makinave kishte nga dy policë ose ushtarë të pajisur me automatikë. Kur i kishim instruktuar forcat tona për mënyrën e shpërndarjes së demonstruesve, ua kishim bërë të qartë se ajo realizohej me përdorimin e shkopinjve të gomës apo makinave me ujë, por, në situatën e atëhershme, u kishim kërkuar që në çdo makinë të kishte edhe nga dy vetë të armatosur, të cilët nuk do të merrnin pjesë në veprimet e shpërndarjes, por do të rrinin në makina për t’i mbrojtur ato nga persona që do të tentonin t’i grabisnin me forcë, siç na kishte ndodhur disa herë në Shkodër dhe qytete të tjera.

Menjëherë, urdhërova oficerët përkatës të rreshtonin forcat në një rresht, me shpinë nga godina dhe me fytyrë nga demonstruesit që po afroheshin me ngadalësi. Personat e pajisur me automatikë i porosita të hipnin në makina dhe së bashku me to të stacionoheshin pas godinës së PPSH ku rrinin zakonisht makinat e atij institucioni. Urdhri u zbatua menjëherë.

Duke pasur parasysh numrin e vogël të demonstruesve dhe mundësitë tona për t’i shpërndarë, nuk besoja se ata do të arrinin të sulmonin objektin që ruhej me roje. Megjithatë, për të evituar çfarëdo të papriture, u afrova tek fasada e godinës partiake dhe pashë se ishin 5-6 policë e ushtarë të armatosur që e ruanin. I urdhërova ata që të mos kishin frikë dhe të mos bënin asnjë veprim gjatë kohës që ne do të bënim shpërndarjen e demonstrueseve.

Sapo u ktheva shpinën rojeve, pashë se turma prej 500-600 vetë po i afrohej atij sheshi të vogël që më tepër i ngjan një degëzimi të gjerë rrugësh. Në krye të turmës dalloheshin rreth 50-60 vajza të reja gjimnaziste që mbanin çanta në dorë. Dukej qartë që pas tyre ishin një grup i madh të rinjsh që i përkisnin lumpenit. Njerëz të egërsuar, pa kulturë, pa edukatë, që fyenin dhe qëllonin me gurë drejt forcave të rendit që po rrinin në rresht pa bërë asnjë veprim. Nuk ishte vështirë të kuptohej se nxënësit e shkollës po përdoreshin si fasadë. Ata ishin vendosur në skalion të parë për të krijuar idenë se është thjesht një veprim rinor, kurse mbas tyre qëndronin horrat, të gatshëm për çfarëdo lloj akti kriminal. Këtë do ta dëshmonin më vonë edhe qytetarë shkodranë, anëtarë të PD-së dhe pjesëmarrës në demonstrim.

Turma thërriste në kor: “Poshtë komunizmi”, “O Ramiz o zagar, do të varim në litar”, “Shkodra republikë” etj. Të bënin përshtypje dy parullat e fundit. Në demonstrimin e 13 dhjetorit 1990, të tubuarit thërrisnin kundër regjimit, duke mbajtur në duar fotografitë e Alisë, kurse tani, pas gati 4 muajsh, ata i premtonin Alisë litarin në fyt. Ndërsa, parulla e fundit kishte tërësisht karakter antikombëtar.

Në shkrimet e botuara më vonë me shumicë, si dhe gjatë dëshmive në gjyq, si dëshmitarë, drejtuesit lokalë të PD kanë bërë çmos për të vërtetuar se atë ditë nuk është thënë parulla “Shkodra-republikë”, por dëshmitë e shumta nuk lejuan që “të futej minarja në thes”. Është e çuditshme kjo këmbëngulje e tyre kur ata kishin pohuar më parë se “demonstruesit nuk janë tanët” dhe, në fund të fundit, s’po i akuzonte kush për këtë gjë.

Kur turma mbërriti në qendër të sheshit, dikush prej të tubuarve thirri: “Uluni!” dhe nxënëset e nxënësit që ndodheshin në krye u ulën. Të tjerët që qëndronin pas, jo vetëm nuk u ulën, por qëllonin herë pas here me gurë drejt forcave të rendit. Në këtë kohë, me anën e një megafoni që kisha me vete, iu drejtova të grumbulluarve: “Shokë qytetarë, grumbullimi juaj është i kundërligjshëm; në emër të ligjit ju bëj thirrje të shpërndaheni paqësisht, në të kundërt forcat e rendit do të përdorin forcën”.

Kjo ishte një formulë e fiksuar në ligj me të cilën ne u drejtoheshim të grumbulluarve pa lejen e organeve të policisë. Kaluan rreth 5’ dhe askush nuk po lëvizte nga vendi. Jo vetëm kaq, por më e keqja ishte se nga drejtime të ndryshme po vinin grumbuj qytetarësh, që të krijonin idenë se dikush po i sillte në mënyrë të organizuar. Mbasi i porosita forcat e rendit që ndodheshin të rreshtuara të bënin shpërndarjen me shkopinjtë e gomës derisa të boshatisnin sheshin dhe lulishten përballë, me anën e megafonit i urdhërova: “Forcat e rendit të përdorin forcën!” Duhet të ketë qenë ora rreth 08. 20’

Shqiptarët kishin kaluar nga njëri ekstrem në tjetrin; nga njerëz që i bindeshin një polici të vetëm në njerëz që s’donin t’ia dinin as për kompani policësh, edhe atëherë kur ishin duke shkelur ligjin ditën me diell. Prandaj, sapo forcat e rendit u nisën drejt tyre, duke goditur me shkopinjtë e gomës mburojat e veta për t’i trembur të tubuarit, ata nuk lëvizën nga vendi. Goditja me shkopinj gome e policisë ra mbi pjesën më naive të të tubuarve, mbi nxënësit e shkollës kurse lumpeni, që qëndronte mbas tyre, arriti të largohej me shpejtësi.

Sheshi u boshatis në një hapësirë gjysmërrethi me rreze 100 metra. Me anën e megafonit i thirra forcat e rendit të ktheheshin në vendnisje dhe ata zbatuan urdhrin. Por, pa kaluar 5’, njerëzit u grumbulluan përsëri dhe numri i tyre ishte rritur. Turma ishte shumë agresive, të gjithë të pajisur me gurë, tulla e mjete të tjera të forta që s’mund t’i kishin gjetur në ato mjedise ku ndodheshin. Në mes tyre nuk dallohej më asnjë nxënës shkolle, të paktën nxënëse nuk kishte asnjë, sepse ato do të mund të shquheshin me lehtësi.

Duke parë se numri i të grumbulluarve rishtas ishte më i madh se herën e parë dhe mundësitë tona për t’i shpërndarë ishin të kufizuara, i porosita forcat e rendit që këtë herë të spastronin vetëm sheshin e afërt, pra të mos tentonin për t’i dëbuar shumë larg protestuesit. Me anën e këtyre veprimeve synoja të mbaja pastër rrugën dhe të evitoja përplasjet e mëtejshme me turmën që rritej nga çasti në çast. Mundësitë për një shpërndarje të plotë të demonstruesve i vlerësova të pamundura për dy arsye: E para, u binda se grumbullimet nuk ishin spontane, por të mirëorganizuar dhe, e dyta, forcat e policisë ishin të kufizuara në numër dhe pa mjetet që lypsen për të vepruar në situatën e krijuar. Ndërkaq, nuk dyshoja se sulmi i turmës mbi selinë e PPSH dhe objektet e tjera kryesore për t’i shkatërruar ishte qëllimi i afërt i saj. Në këto kushte, me mendimin e qartë që të evitoja përplasjen e turmës me rojet e armatosura që ruanin objektin, urdhërova një aksion tjetër dhe forcat e policisë i shtynë protestuesit rreth 50-60 metra larg nga rruga. Pas kësaj, sipas urdhrit tim, forcat u kthyen mbrapa dhe u vendosën në një rresht, në trotuar, rreth 10 metra para godinës së PPSH, që ruhej me roje të armatosura.

Brenda pak minutave turma arriti në rreth 2000 vetë dhe tepër e egërsuar iu vërsul, me gurë e mjete të tjera të forta, forcave të policisë që qëndronin të rreshtuara, por inaktive ndaj turmës. Shumë prej policëve e ushtarëve u plagosën në këmbë, duar dhe në kokë. Tashmë u ndërruan rolet, policia u shndërrua nga sulmuese në objekt sulmi nga një turmë që sulmonte me egërsi.

Duke mos qenë në gjendje të përballonin këtë sulm, forcat e policisë, ushtarë, policë dhe oficerë u tërhoqën me shpejtësi. Shumica e tyre kaluan mbas godinës partiake ku ndodhej një vend parkim i automjeteve të institucionit, kurse pjesa tjetër hynë në atë godinë. Së bashku me ta hyra edhe unë që s’kisha asnjë mjet mbrojtës, por në ato çaste një polic më dha skafandrin e tij, kurse unë i dhashë atij megafonin që mbaja në dorë. Këtë megafon s’do ta merrja më në dorë. Pas dy orësh do ta shikoja të dëmtuar në anën e djathtë të godinës, 2-3 metra larg murit anësor të saj.

Kur forcat e rendit u larguan në mënyrë të çrregullt mbas ndërtesës dhe brenda saj, turma e verbuar u inkurajua dhe u vërsul me shpejtësi e, duke goditur me gurë e tulla, tentoi të hynte brenda. Në këtë çast ajo u ballafaqua me rojet e armatosura që ruanin institucionin që nga ora 06.00 e mëngjesit. Disa nga rojet bërtitën “Ndal!” dhe hapën zjarr me automatikë në ajër. Turma u ndal dhe u zmbraps disa metra deri në lulishten përballë.

Ky moment është shumë i rëndësishëm për të vlerësuar legjendën që do të thurej më pas, qëllimisht, për këtë ngjarje. Horrat e politikës në fillim e, më pas edhe disa shërbëtorë të tyre në organet e drejtësisë, pretenduan se janë përdorur armë për shpërndarjen e demonstruesve. Kjo nuk është fare e vërtetë. Forcat e policisë, që u përdorën për shpërndarjen e protestuesve më 2 prill 1991, nuk kanë përdorur asnjë armë zjarri gjatë dy veprimeve sulmuese që bënë për shpërndarjen e tyre. Mbas këtyre dy inkursioneve të realizuara me sukses, ato u tërhoqën se nuk mund të përballonin sasinë, mjetet dhe egërsinë e të tubuarve. Qysh nga ky çast, veprimet e policisë për shpërndarjen e demonstruesve pushuan dhe do të kemi të bëjmë me një lloj tjetër veprimtarie të policisë, me përpjekjet e saj për mbrojtjen e një dhe më shumë ORV-ve.

Të tjera kritere dhe norma ligjore kishte për shpërndarjen e të grumbulluarve në mënyrë të paligjshme, të cilave policia e Shkodrës, atë ditë u është përmbajtur rreptësisht, dhe të tjera kritere e norma ligjore ekzistonin për mënyrën e ruajtjes dhe të sigurimit të atyre objekteve e institucioneve që cilësoheshin si Objekte të Rëndësisë së Veçantë. Kur të trajtojmë aspektin juridik të ngjarjes, do të sqarojmë me hollësi edhe shtrembërimet e qëllimta të anës historike dhe ligjore të asaj çfarë ndodhi atë ditë.

Sapo dëgjova breshërinë e armëve, dola menjëherë tek pjesa hyrëse e godinës dhe pyeta se kush qëlloi me armë. Njëri nga policët roje më tha: “Mos u shqetëso shoku shef, pasi dy ushtarë roje qëlluan në ajër për të mos lejuar protestuesit të futeshin në objektin që ruanin”. U thashë që të gjitha rojet, policë dhe ushtarë, të futeshin brenda në godinë, xhamat e katit të parë të së cilës ishin thyer pothuajse të gjithë nga goditjet me gurë të turmës. Këtë veprim e bëra për të evituar ballafaqimin fizik të rojeve të armatosura, por të papajisur me mjete mbrojtëse, me turmën që sulmonte herë pas here. I porosita rojet që të zinin nga një dritare dhe, nëse do të sulmohej objekti për t’u pushtuar me forcë, ata duhej të qëllonin me armë në ajër për t’i trembur ata elementë që ishin të vendosur të hynin me çdo kusht në godinë.

Sapo hynë rojet brenda, unë nxora rreth 20 policë e ushtarë të pajisur me mburoja, skafandra dhe shkopinj gome dhe i rreshtova para godinës, rreth 3 metra larg fasadës së saj. Policia ndodhej në një situatë tepër delikate e të vështirë. Nga njëra anë ndodhej përpara detyrimit ligjor për mbrojtjen e ORV-së dhe, nga ana tjetër, përballë sulmit të dhunshëm dhe antiligjor të një turme, që, pavarësisht parullave antikomuniste që brohoriste, në të vërtetë nuk dinte se çfarë kërkonte dhe ç’do të realizonte me veprimet e saj barbare. Çështja shtrohej që, edhe objekti të mbrohej por, edhe njerëzit që e sulmonin për ta shkatërrua të mos dëmtoheshin.

Rreth orës 8.40’, në kohën që po dilja nga godina, u përballa me policët që po hynin brenda.

Mirëpo, në çast, turma u vërsul drejt godinës për të hyrë në të, dhe vetëm dalja e menjëhershme e disa policëve me shkopinj gome në duar bëri të mundur zmbrapsjen e saj.

Një pjesë e turmës u shmang dhe tentoi të futej në bibliotekën e rrethit, një nga më të vjetrat dhe më të pasurat në Shqipëri, e cila ndodhej në të djathtë të godinës partiake. Një grup policësh shkoi me shpejtësi dhe mbas pak minutash arriti t’i nxjerrë jashtë njerëzit që kishin arritur të futeshin në godinën e bibliotekës duke thyer xhamat e saj.

Mbas këtij momenti situata po acarohej gjithnjë e më tepër dhe turma, jo vetëm që shtohej nga çasti në çast, por elementë të veçantë të saj përdornin herë pas here shishe me benzinë dhe lëndë plasëse kundër forcave të policisë dhe godinës që ruhej prej tyre. E vetmja mundësi për ta frenuar depërtimin e turmës ishte zbrazja e herëpashershme e armëve në ajër nga rojet e objektit. Pas shpërthimit të shisheve me benzinë dhe lëndëve plasëse turma sulmonte. Sulmit të turmës rojet i përgjigjeshin me të shtëna në ajër dhe turma zmbrapsej 40-50 metra, riqëllonte me lëndë plasëse e djegëse dhe pastaj risulmonte për t’u futur brenda. Ky ritual do të vazhdonte rreth 2 orë.

Ushtarët, policët dhe oficerët ishin trembur dhe hutuar. Një ballafaqim i tillë ishte i paparashikuar as nga ata, as nga ne që i drejtonim. Numri i protestuesve ishte rritur dhe, pavarësisht se mbas asaj dite janë dhënë gjithfarë shifrash të ekzagjeruara për motive politike, ky numër nuk ka qenë më i madhe se 7-8 mijë vetë. Shumica e tyre kanë qenë kureshtarë, njerëz që vinin të kërkonin fëmijët apo të afërmit e tyre nga frika mos pësonin gjë dhe vetëm një bërthamë prej rreth 400-500 personash kanë qenë aktivë dhe tepër agresivë.

Deri në këtë kohë, rreth 10 policë ishin plagosur nga mjetet e forta që kishte përdorur turma dhe ne i kishim nisur në spital ose në organin e policisë.

I ndodhur në këto rrethana, rreth orës 09.00 u lidha me radio me kryetarin e DPB, Çapajev Taçi dhe i thashë se, “Ne nuk kemi ç’bëjmë më këtu, sepse nuk e përballojmë dot turmën”, por ai m’u përgjigj: “vazhdoni detyrën, sepse së shpejti do të vijnë edhe forca nga Tirana në përforcim”. Siç do të merrnim vesh më vonë, vërtet që nga Tirana ishin nisur mbi 100 forca speciale, por ato do të mbërrinin në Shkodër rreth orës 14.00, ngaqë u ishte bllokuar rruga 20 km larg nga Shkodra nga një grup i madh njerëzish. Nuk do shumë mend për të kuptuar se një veprim i tillë s’ka qenë rastësi.

Rreth orës 09.30’, shefi i policisë zbriti nga kati i dytë dhe më takoi në hollin e katit të parë ku qëndroja prej gati një ore, duke u përpjekur të instruktoja policët se si të vepronin në çdo situatë që krijohej. Dilaver Papare, pasi më kapi për krahu, më tha se sapo e kishte njoftuar kryetari i DPB, i cili qëndroi gjithë kohën në zyrën e tij, se në spitalin e qytetit ndodhej një njeri i vdekur, i vrare me armë zjarri, dhe se në ato momente një grup të rinjsh po këmbëngulnin me çdo mënyrë ta vendosnin në një makinë “Zuk” dhe ta sillnin në sheshin e teatrit të kësaj ngjarjeje. Po çuditem,- i thashë,- sepse unë s’kam parë asnjë njeri të vritet deri tani.

-Nga e di Çapajevi këtë fakt?- e pyeta shefin e policisë.

-Nga spitali, i kishin telefonuar dhe e kishin vënë në dijeni- m’u përgjigj Dilaveri.

Ishte vërtet diçka e tmerrshme, …

Kështu që, pas 20’, një makinë “Zuk” erdhi në shesh, ndaloi 20 metra para hyrjes së godinës që ruante policia dhe katër të rinj morën në barelë një njeri të vdekur, të zhveshur nga mesi e lart dhe, duke fyer e kërcënuar policinë, tentuan ta futnin në godinë. Ata policë dhe oficerë që ndodheshin rreth meje në hyrje u tmerruan dhe pashë se skena e krijuar ua largoi menjëherë gjakun nga fytyra. Vetëtimthi më shkoi në mendje se po të realizohej hyrja e tyre në objekt në atë gjendje aq të tensionuar, rreziku për pasoja të dyanshme do të ishte shumë i madh. Atëherë , vendosa t’iu dal përpara e të komunikoj me ta.

Kur mbërritën tek dera kryesore e hyrjes dëgjova që thoshin: “E shihni ç’keni bërë, ju jeni kriminelë!” etj.

Për t’i qetësuar iu përgjigja: “Dakord, por ju lutem shumë kthehuni mbrapa, sepse nuk kam çfarë ju bëj, largohuni prej këtu”. Ata u stepën dhe, sa nga fjalët e mia, e ndoshta, aq edhe nga frika e një krisme automatiku që u dëgjua pak më tutje, u kthyen mbrapa, e vunë kufomën në makinë dhe ikën. Turma u egërsua edhe më shumë dhe sulmonte herë pas here më lëndë djegëse e plasëse.

Mbas afro 20’, Dilaveri ishte vënë përsëri në dijeni nga Çapajevi se në spital ndodheshin edhe një ose dy persona të tjerë të vdekur. Kjo gjë më tronditi shumë dhe i thashë Dilaverit të merrej vesh me kryetarin e DPB se çdo bënim më tutje, pasi as ne nuk po e merrnim vesh çfarë po ndodhte. Kishim rreth dy orë aty dhe nuk kishim parë asnjë njeri të vritej apo të plagosej.

Shefi i policisë filloi të komunikonte me radio me kryetarin e DPB dhe ky i fundit iu përgjigj: “Ju porositni policët të kenë kujdes mos të dëmtojnë njerëzit kurse objektin mos e lëshoni, por trembeni turmën me të shtëna në ajër. Po dërgoj edhe disa policë me armë e municion dhe po i transportoj me autoblinda, sepse ndryshe nuk i lënë të arrijnë deri tek ju”.

….

Rreth orës 10.30’, një person i moshës rreth 30 vjeç, i gjatë, i dobët dhe me favorite të gjata, u afrua tek dera e hyrjes kryesore të godinës dhe, duke m’u drejtuar pyeti: “Ju jeni përgjegjës, këtu?”. Pasi unë pohova ai vazhdoi: “Më mirë dorëzohuni sepse edhe Tirana ra, Komiteti Qendror i PPSH-së është marrë, Xhelil Gjoni është vrarë dhe Ramiz Alia është arrestuar”.

Këto thënie të kujtonin epilogun e një grushti shteti dhe isha i sigurt se nuk ishin mendime të dala nga një balosh si ai, prandaj iu përgjigja menjëherë: Dëgjo zotëri, ne nuk lëvizim prej këtu sepse kjo është detyra jonë, por merri shokët e tu dhe ata që të kanë dërguar këtu dhe ikni sepse jeni në gabim”. Ai u largua pa folur më.

Pa kaluar 10’, një qytetar rreth të dyzetave, pjesëtar i turmës, hyri në hollin e katit të parë të godinës dhe më tha në mirëbesim: “Një grup të rinjsh janë përgatitur t’iu marrin armët policëve prandaj na nevojitet një megafon t’iu flasim”. M’u duk njeri i mirë dhe i predispozuar për qetësimin e situatës, prandaj i thashë se do bëja ç’është e mundur për të gjetur një megafon, sepse ai që kishim pasur në fillim të veprimeve tona, tashme ishte jashtë përdorimit.

Pak para orës 11.00, turma i ishte afruar shumë fasadës së godinës që mbronte policia dhe dy të rinj i rrëmbyen një automatik një roje policie, por një ushtar i ndodhur aty pranë e zbrazi tërë karikatorin në ajër. Rrëmbyesit, nga frika e dorëzuan armën që kishin marrë.

U lidha rishtazi me radio me kryetarin e DPB…

Nga takimi që pata me shefin e policisë dhe kuadrot e tjerë të organit mësova se, pasi isha larguar unë nga vendngjarja, turma kishte arritur të depërtonte në katin e parë të ndërtesës dhe, i ndodhur në ato rrethana, dhe për të evituar pasoja të mundshme tragjike, Dilaver Papare kishte urdhëruar forcat e policisë ta braktisnin objektin pa bërë rezistencë të mëtejshme. Turma kishte sulmuar me shpejtësi, duke përdorur lëndët plasëse kundër punonjësve të policisë që po largoheshin pa bërë rezistencë, kishte vjedhur pajisjet e institucionit dhe e kishte djegur atë. Dy oficerë policie dhe 5-6 policë ishin plagosur më rëndë se të tjerët. Pas kësaj, turma kishte mbërritur tek Radio Shkodra. Disa pjesëtarë të saj i kishin kërkuar personelit teknik dhe drejtuesve të radios që t’i lejonin të mbanin një fjalim në Radio Shkodra me anën e të cilit të njoftonin opinionin se “Shkodra ra” dhe se “kryengritja fitoi”. Këta nuk kishin pranuar dhe disa policë kishin rezistuar. Rreth orës 12.00 kishte mbërritur nga Tirana Azem Hajdari, i cili kishte mbajtur një fjalim “patetik” para turmës së verbër. Fjala e tij dëshmoi se ai ishte “gjenerali i ushtrisë së lumpenit”.

Në pasditen e 2 prillit, qyteti i Shkodrës kishte rënë në një heshtje varri. Pothuajse gjithë qytetarët ishin mbyllur në shtëpitë e tyre. Vetëm në rrugët kryesore mund të shihje grumbuj të rinjsh nga ata që ishin autorët e akteve të mëparshme vandaliste. Ata silleshin si tufa e qenve endacake që u vjen rrotull kazanëve të plehrave. Disa prej tyre plagosën me pistoletë një polic që patrullonte në qendër të qytetit. Autori s’u gjet kurrë.

Rreth orës 18.00, shkuam tek vendi i ngjarjes me një makinë të blinduar, por aty s’kishe ç’të shihje. Çdo gjë ishte bërë shkrumb. Në ndërtesë nuk mund të hyje nga nxehtësia që ishte krijuar nga djegia që vazhdonte prej 6 orësh.

E vërteta është se në turmë ka pasur shumë huliganë dhe, kanë qenë pikërisht këta që kanë kryer aktet e dhunshme dhe që kanë realizuar ballafaqimin e egër dhe këmbëngulës me forcat e rendit. Por, në turmë, siç e kam theksuar edhe më parë, ka pasur edhe njerëz që s’i përkisnin kurrsesi kategorisë së huliganëve. Gjithashtu, djegiet e shkatërrimet përfundimtare të objekteve janë realizuar rreth dy orë mbas ndodhjes së vrasjeve. Aq sa është i pavërtetë pretendimi se vrasjet kanë ndodhur pas djegies së objektit, po aq i pavërtetë është edhe pretendimi se djegiet janë nxitur nga ndodhja e vrasjeve. Faktet që të çojnë në këtë  konkluzion do të paraqiten në kapitullin pasardhës, bashkë me argumentet përkatëse.

Dita e 3 prillit do të ishte mjaft e tensionuar… Kishin ardhur drejtuesit e PD-së, shumica e të cilëve mbajtën fjalime para arkivoleve dhe akuzuan pushtetin se i kishte bërë vrasjet qëllimisht, për arsye politike dhe sipas një skenari të paramenduar. E çuditshme! Pa kaluar as 24 orë, këta zotërinj dinin gjithçka, dinin autorët, dinin motivet, madje, edhe skenarët.

Koha do të dëshmonte plotësisht se “lotët” e derdhura atë ditë prej këtyre politikanëve cinikë e faqezinj, s’ishin gjë tjetër veçse “lot krokodili”. Por, e parë çështja në aspektin e interesave të tyre politike, ata i kishin rënë pikës. Pasi e kishin kriminalizuar me dhe pa të drejtë regjimin, pasi e kishin satanizuar atë, tani çfarëdo alibie të krijohej dhe në çfarëdo versioni që ta paraqisje ngjarjen e 2 prillit, ajo do të bëhej lehtësisht e besueshme; …

Në një mbledhje që u bë në DPB 4-5 ditë pas ngjarjes me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të MPB, u konkludua se këto vrasje kishin qenë të paligjshme, kushdo që t’i ketë kryer dhe se për gjetjen e së vërtetës dhe përgjegjësive, kishte filluar hetimi i ngjarjes nga një grup i posaçëm i krijuar nga Hetuesia e Përgjithshme, nën drejtimin e nënkryetarit të asaj hetuesie, Ferit  Sula.

E vërteta është se veprimet hetimore kanë nisur në datën 4 prill, pra dy ditë pas ngjarjes, gjë që përbën një faj të drejtuesve të atëhershëm të organeve të drejtësisë….

Është interesant dhe i rëndësishëm reagimi i PD-së, menjëherë pas ngjarjes. Është detyrim moral i çdo njeriu që të reagojë ndaj së keqes dhe ta dënojë atë, por është akt imoraliteti që të mashtrosh opinionin për arritjen e qëllimeve vetjake apo të grupit që përfaqëson.

Në gazetën e Partisë Demokratike, RD të datës 3 prill do të gjejmë shumë shkrime për ngjarjen e një dite më parë. Gjërat më të rëndësishme që të bien në sy, qysh në fillim, janë pasaktësitë që kanë ardhur nga padija si dhe të pavërtetat që janë fabrikuar qëllimisht. Së pari, përveç Arben Brocit, emrat dhe mbiemrat e tre të vrarëve të tjerë janë shkruar pasaktësisht. Aty dhe në numrat pasues të gazetës theksohet se Broci ka qenë anëtar i PD, gjë që ka qenë e vërtetë, ndërsa për tre të tjerët kjo gjë s’thuhet. Me kalimin e kohës PD-ja, për qëllimet e saj, do përpiqej që edhe viktimat e tjera t’i paraqiste si aktivistë të saj me qëllim që të përforconte bindjen për motivet politike të vrasjeve. Për të kishte rëndësi njeriu si qenie politike dhe jo si qenie njerëzore, pasi nga kjo e fundit nuk mund të nxirreshin përfitime politike. Së dyti, qysh të nesërmen, përcaktohej se numri i të plagosurve kishte qenë 58 dhe kjo shifër (tërësisht e pavërtetë) do të transplantohej më vonë nga mercenarët politikë të prokurorisë e gjykatës edhe në akuzat dhe vendimet e tyre.

Interesant dhe i çuditshëm është fakti se, që të nesërmen kjo gazetë “dinte” edhe autorin e vrasjes së A.Brocit. Ja si e përshkruan ajo: “Për të qetësuar popullin, mes tij futet anëtari i KD të PD së rrethit Arben Broci. Ndërsa ai u fliste me megafon që të shpërndahen, një nga policët e qëllon pas kurrizit me breshëri automatiku duke e lënë të vrarë…”.

Nëse shkrimi i mësipërm edhe mund të mos merrej seriozisht, pasi i përkiste vetëm një individi, do të shohim se në RD-në e datës 6 prill 1991 do të botohej komunikata e PD-së, dega Shkodër. Ndër të tjera, në të thuhet: “Të nesërmen në mëngjes, datë 2. 4. 1991, nxënësit e shkollave të mesme “J.Misja” dhe “29 nëntori”,  bashkë me shumë pedagogë shkuan përpara Komitetit të PPSH-së, fare të qetë dhe jo me zor sikurse njoftoi TVSH… Përsëri u thirrën anëtarët e PD që të qetësonin njerëzit që po shtoheshin rreth e rrotull… Nga njëra anë ishte Frano Gjergji, në mes Arben Broci dhe në anën tjetër aktivisti Fatmir Bërdica… Sheshi ishte krejt i lirë, Arben Broci, student 24 vjeçar, nismëtar i demonstratave të dhjetorit që bënë studentët, ishte thuajse tek trotuari, matanë ndërtesës, kur nga dera e Komitetit të PPSH-së një ushtarak i armatosur qëlloi me breshëri dhe e vrau pas shpine. U vra në vend dhe i papuni Bujar Bishanaku, i cili po kalonte me biçikletë andej pari… Pas vrasjes së pabesë prapa shpine të ndërmjetësit Arben Broci, të B.Bishanakut dhe, më vonë, të Besnik Cekës, demonstruesit u shtuan dhe u irrituan. Shefi i policisë u dha urdhër policëve “veproni!”. Ne protestuam në vend… Brenda ndërtesës së komitetit u gjet një mitraloz 12.7 mm dhe armë të tjera… Nuk është e vërtetë që janë plagosur 13 policë. Dy policë që janë vizituar tek kirurgu Ali Spahia nuk kanë pasur asnjë shenjë plage por vetëm ishin trembur… PD, dega Shkodër, kërkon: 1. Të gjenden e të dënohen fajtorët e vrasjes politike të anëtarit të PD-së, dega Shkodër, Arben Broci, si dhe të B.Bishanakut dhe B.Cekës dhe plagosjes së 59 të tjerëve…”.

Siç shihet qartë, PD-ja pa kaluar 3-4 ditë nga ngjarja paraqitet, jo vetëm në rolin e akuzatorit, por edhe të atij që di gjithçka. Kur të bëjmë analizën juridike dhe politike të kësaj çështjeje do të flasim rreth pretendimeve të mësipërme, pasi ato rezultojnë krejtësisht të pavërteta. Më e rëndësishmja prej tyre mbetet motivi politik i vrasjes së A.Brocit, motiv që, me kalimin e kohës, do ta propagandonin edhe për tri vrasjet e tjera.

Më vonë, PD-ja filloi të flasë edhe për gjoja skenarë të shtetit për realizimin e vrasjeve dhe duke u vetëvënë në rolin e hetuesit dhe të gjykatësit, thotë:

“Situata e tensionuar dhe gjakderdhja në Shkodër është organizuar sipas një skenari të paramenduar nga Organet e Punëve të Brendshme (OPB) Shkodër në bashkëpunim me drejtues të PPSH-së në qytetin e Shkodrës… Dega e PD-së në Shkodër ka vlerësuar drejt situatën në dritën e fakteve dhe ka konstatuar se fajtorët për ngjarjet e Shkodrës janë OPB në Shkodër, veçanërisht kryetari i kësaj dege Çapajeve Taçi”.

Mirëpo, më vonë, do të vëmë re se akuzat do të shtohen dhe objekt kryesor i tyre do të bëhen drejtuesit kryesor të shtetit të atëhershëm.

Më 13 prill 1991, Gëzim Shima, me cilësinë e kryetarit të Komitetit Nismëtar të Sindikatave të Pavarura, i drejtohet qeverisë: “Të denoncohen nëpërmjet shtypit, radios dhe televizionit, krimet që u shkaktuan në ngjarjet e Shkodrës kohët e fundit, të gjykohen me dyer të hapura vrasësit e viktimave të pafajshme si dhe t’iu lidhet pension familjeve të tyre. Kërkesa të plotësohet deri më 14 prill 1991. Nëse nuk plotësohen këto kërkesa do të shpallim grevë të përgjithshme në mbarë vendin”.

Se ç’punë kishin sindikatat, si organizime për të mbrojtur punëtorët në marrëdhënie me punëdhënësit, me një çështje penale, këtë mund ta dinin vetëm mercenarët politikë të tipit Shima. Ky karagjoz politik, së bashku me shokët e tij i jepnin shtetit ultimatum që brenda 24 orëve nga momenti i publikimit të deklaratës së tyre të gjente të vërtetën e një ngjarje që s’kishte fare lidhje me punën e qeverisë si organ ekzekutiv, por me organet e drejtësisë.

Vajtja në parlament vetëm e N.Cekës, donte të thoshte bojkotim i parlamentit, sabotim i tij dhe, paralizim i jetës politike shqiptare duke e çuar atë drejt një kaosi akoma më të madh. Deklarata përfundonte në formë ultimatumi, ashtu si ajo e Sindikatave të Pavarura dy ditë më parë: “Grupi parlamentar i PD-së, duke shprehur vullnetin e zgjedhësve të tij që përbën 40% të elektoratit shqiptar qëndron në mendimin për nevojën e shtyrjes së mbledhjes së Kuvendit Popullor deri në përcaktimin i fajtorëve në vrasjen e 4 personave dhe plagosjen e 59 të tjerëve në qytetin e Shkodrës”.

Nga pjesa ultimative e deklaratës del qartë se mbledhja e organit më të lartë ligjvënës kushtëzohej me përfundimet e punës së një organi tjetër, e një organi ligjzbatues, siç ishte hetuesia si pjesë e organeve të drejtësisë. Lind pyetja: po sikur fajtorët të mos zbuloheshin kurrë (siç fatkeqësish ka ndodhur deri tani), a do të mblidhej ndonjëherë parlamenti?

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU