Kabinet i ri kardiologjie në Dibër, përfitojnë 2000 pacientë

Rreth 2000 banorë të cilët kanë probleme kardiake në rrethin e Dibrës nuk do t’i drejtohen më Tiranës për të kryer një ekzaminim ECO-je, për të kryer provat ushtrimore apo të e​kzaminohen me Holter tensioni arterial apo Holter ritmi kardiak, falë hapjes së kabinetit të kardiologjisë në në këtë spital rajonal.

Gjatë përurimit të këtij kabineti Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka theksuar se 180 mijë banorët e Qarkut të Dibrës tashmë do të marrin shërbimin e tyre shëndetësor më pranë zonës së banimit, duke bërë të mundur uljen e kostove në xhepin e gjithsecilit prej tyre, por edhe duk çliruar fluksin e pacientëve në Qendrat Universitare të kryeqytetit. Ndër të tjera, kreu i shëndetësisë theksoi se, “kabineti i ri i kardiologjisë që funksionon prej fillimit të vitit në Spitalin Rajonal të Dibrës është vijim i angazhimit tonë për të përmirësuar ndjeshëm shërbimin spitalor, me fokus edhe te sëmundjet kardiovaskulare, të cilat kanë edhe barrën më të lartë të sëmundshmërisë në Shqipëri”.

Me investimet e bëra nga Ministria e Shëndetësisë për ngritjen e këtij kabineti që kap vlerën e 5.8 milion lekëve nga Buxheti i Shtetit, mjekët do të kenë mundësi të kapin më herët problemet kardiake të pacientëve të zonës, duke i shërbyer padyshim, shumë më mirë banorëve të zonë dhe duke i’u dhënë mundësinë mjekëve kardiologë të shprehin shumë më mirë dijet dhe njohuritë e tyre, tha më tej Ministri Beqaj.

“Është një kabinet që i ka munguar këtij spitali, dhe një shërbim që i ka munguar banorëve këtu,” vijoi më tej ai, duke theksuar se, “me zgjerimin e shërbimit spitalor, me ofrimin e “check-up”-it falas, me zerimin e tarifave të mjekut të familjes, me uljen e ndjeshme të tarifave të shërbimit të mjeku specialist, ishte e domosdoshme që cikli i ekzaminimeve të mbyllej po këtu në Dibër, pa qenë nevoja që banorët e Dibrës të udhëtojnë drejt Tiranës. Kemi një ECHO zemre, një pajisje për provën ushtrimore të ngarkesës së zemrës, Holter zemre, Holter tensioni, Elektrokardiogramë”.

Sipas të dhënave rezulton se numri i përgjithshëm i vizitave për probleme kardiake është rreth 8500 në vit, ndërkohë që sëmundshmëria kardiake në Rrethin e Dibrës vlerësohet se shkon deri në 25%, u shpreh  mjekja kardiologe Shpresa Topuzi.

Hapja e këtyre kabineteve pranë Qendrave Shëndetësore të Specializuara sipas Ministrit të Shëndetësisë  ishte edhe më e nevojshme pas nisjes së kontrollit bazë për moshat 40-65 vjeç, pasi qytetarët të cilët rezultonin me probleme nga “chek_up” duhet të vijonin të tjera kontrolle të specializuara. “Ne do të vijojmë të plotësojmë edhe shërbimet e tjera spitalore këtu edhe në spitalet e tjera rajonale, për të ofruar shërbime të tjera të specializuara”, tha Beqaj.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU