A ishte Enver Hoxha një komunist nacionalist?

Nga Pëllumb Xhufi

Të bësh një analizë pak a shumë të saktë e gjithpërfshirëse të Enver Hoxhës është një mision i vështirë e, me sa duket, i parakohshëm. Misioni bëhet edhe më i vështirë në këtë klimë intolerance prej lufte të ftohtë, të krijuar nga lukunia e spiunëve dhe e komunistëve të konvertuar që kanë qeverisur vendin këto 23 vjetët e fundit.  Aq më shumë, bëhet e vështirë të flasësh në mënyrë të paqme për Enver Hoxhën dhe për çdo ngjarje e personazh të periudhës së komunizmit shqiptar, kur ftohesh ta bësh një gjë të tillë në 20 shkurt, datë që lukunia në fjalë e ka zgjedhur si ditën e saj të Shën Bartolomeut.

Kështu, çdokush që rreket të shkruajë ndonjë mendim për Enverin, siç po bëj unë tani, instinktivisht priret  t’i masë fjalët, për të qenë politikisht korrekt me lukuninë e spiunëve dhe të të konvertuarve, që veteksitohen deri në kafshim. Ndërsa them këto, vetvetiu më fanepset histori e vitit 1991, që ka për protagonistë z. Sali Berisha dhe z. Edi Rama.

Ishte janar, kur në sallën “Dea” të Pallatit të Kulturës Partia Demokratike e porsakrijuar kishte organizuar një bashkëbisedim me intelektualë të kryeqytetit. Mes të tjerash, një i pranishëm në atë takim e pyeti z. Berisha se cili ishte qëndrimi i tij dhe i PD ndaj figurës së Enver Hoxhës.

Z. Berisha u përgjegj ngatërrueshëm, duke thënë, hiç më shumë e hiç më pak, atë që po them edhe unë, pas 23 vjetësh, në hyrje të këtij shkrimi: “Enver Hoxha është një figurë komplekse, me të mirat e të këqijat e tij”.

Me të mbaruar këto fjalë, nga gjysmëerrësira e rreshtit të fundit ia befi Edi Rama, i cili rrëmbeu thuajse me forcë mikrofonin dhe me një “ua tregoj unë se kush ishte Enver Hoxha”, filloi t’i tregojë sallës, e sidomos Doktorit që nuk ishte çliruar ende nga hija e Komandantit, se Enver Hoxha nuk ishte aspak një figurë komplekse…

Të gjithë e dinë se çfarë mendon Edi Rama për Enver Hoxhën, ndaj nuk dua të zgjatem as me pasionin e tij antienverist, të sinqertë, të kuptueshëm por antihistorik, dhe as me antienverizmin e antikomunizmin e z. Berisha, që është i vonuar, i shtirë, antihistorik e gjithashtu amoral.

Për Enver Hoxhën është shkruar shumë kohët e fundit, por kryesisht duke e analizuar atë kryesisht në marrëdhëniet me demokracinë dhe me të drejtat e njeriut. Kjo është e kuptueshme, e pashmangshme dhe e domosdoshme Ai i përkiste, qysh në nisje, një bote dhe një ideologjie që e shkelte individin, liritë dhe të drejtat e tij, në emër të rendjes pas një projekti utopik që do t’u sillte të gjithëve, njëherësh e njëlloj, mirëqënien e lumturinë e kërkuar.

Kundërshtarët e tij politikë, nga bashkëluftëtarët e bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, e deri te përfaqësuesit e “klasave të përmbysura”, u dënuan me një ashpërsi që nuk e pati shoqen as në Rusinë e Stalinit. Në mënyrë të veçantë, histeria represive e shpërthyer pas vitit 1970, kur pas “kërleshjes” me SHBA dhe BRSS regjimi bëhej gati t’i hidhte dorashkën edhe Kinës dhe për rrjedhim kishte nevojë më shumë se kurrë për një “paqe të brendshme”, nuk mund të shpjegohet veçse me një degradim politik dhe intelektual të regjimit dhe të vetë Enver Hoxhës.

Por, për  marrëdhëniet negative të Enver Hoxhës me demokracinë e me të drejtat e njëriut është folur mjaft pas vitit 1990. Edhe biografitë mbi të, të shkruara vitet e fundit, vërtiten në mënyrë të pashmangshme rreth këtij motivi. Ndërkohë, aspekti represiv i shtetit dhe  i vetë personalitetit të Hoxhës nuk përfaqëson të gjithë qënien e tij si politikan e burrë shteti.  Për një analizë më të thelluar e më historike, do të ishte e nevojshme të hetoheshin edhe marrëdhëniet e liderit komunist me gamën e madhe të veprimtarive partiake e shtetërore, që ai drejtoi me dorë të hekurt për më shumë se 40 vjet.

Pak ose aspak është shkruar lidhur me raportet e tij me pavarësinë e sovranitetin, me mbrojtjen e sigurinë, me  industrinë, bujqësinë, energjinë, arsimin, shëndetësinë, politikën e jashtme, kulturën, shkencën, sportet etj. etj. Nëse ne e pranojmë si një të dhënë të paracaktuar nga ngjarjet e Luftës II Botërore instalimin e sistemit komunist në Shqipëri, dhe në rast se analiza jonë nuk abstragon nga kjo premisë e rëndësishme, atëhere kuadri  i realizimeve dhe i dështimeve të regjimit të Enver Hoxhës në këto fusha nuk del aq i zi, sa ç’rezulton kuadri i rrënuar i raporteve të tij me të drejtat e individit dhe me demokracinë.

Ajo që unë dua të trajtoj posaçërisht këtu dhe që me siguri do irritonte shumë vetë, ka të bëjë me raportet e Enver Hoxhës me nacionalizmin dhe me Kosovën, si thelbi i çështjes kombëtare shqiptare. Shumica e autorëve dhe e teksteve të huaja, që janë marrë me historinë e Shqipërisë të pas Luftës, janë të një mendje kur thonë se Enver Hoxha ishte një komunist nacionalist. Sigurisht, në vendin e shqipeve nuk është pa rrezik ta thuash një gjë të tillë: rrezikon të mbytesh në detin e urrejtjes, të pështymëve e të jargëve të të ashtuquajturve “nacionalistë të opingës”. Ndaj, më së pari duhet sqaruar terminologjia.

Tashmë është bërë e modës të kategorizohen si “nacionalistë” figura si Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari, Halil Alia, Selim Kaloshi, Isa Toska, Taf Kaziu, Bektash Cakrani etj. etj. Mirëpo, thotë Bernd Fisher, në rastin më të mirë, nacionalizmi i këtyre figurave ishte thjesht një “nacionalizëm krahinor”. Gjatë Luftës I dhe Luftës II Botërore, kush më shumë e kush më pak, çdonjëri prej tyre ra në ujdi me pushtuesit. Termat e ujdisë qenë të thjeshta: ju mos na hyni në sinoret e fshatit tonë, ne do t’iu ndihmojmë të shtypni çdo rezistencë jashtë sinoreve tona. Sigurisht, kundrejt pagesës. Kështu, këta trima, ndërsa betoheshin e përbetoheshin për “Shqipërinë Etnike”, e kaluan kufirin e krahinës së tyre vetëm për të vrarë e për të prerë shqiptarë të tjerë, pikërisht ata që luftonin për lirinë e vendit të tyre. Kështu bënë në Vlorë, në Berat, në Shkodër e Tiranë në dimrin e vitit 1943-1944.

Nuk u mjaftuan me kaq. “Legalistë” si Musa Juka e Muharrem Bajraktari qysh në 1942, dhe “ballistë”, si Mithat Frashëri në 1944, i propozuan marrëveshje të fshehta përfaqësuesve të së djathtës nacionaliste serbe e greke, Drazha Mihajlloviçit dhe Napoleon Zervës. Këto parashikonin, hiçmosgjë, bashkimin e Shqipërisë në një federatë me Serbinë, gjegjësisht me Greqinë . Në 1948, kur E. Hoxha i preu marrëdhëniet me Jugosllavinë, përfaqësuesit e “nacionalizmit” në mërgim (mes tyre edhe Ernest Koliqi), i shkruanin letra Titos, ku e grishnin atë të sulmonte Shqipërinë, të rrëzonte regjimin e Enver Hoxhës dhe t’ua besonte atyre drejtimin e atij vendi, me premtimin se Shqipëria “e tyre” do të ishte një mike besnike e Jugosllavisë. Ishte skema e përpunuar  nga “arqi-nacionalisti” Esat Pashë Toptani (1914)dhe e zbatuar nga Ahmet Zogu (1924).

Sigurisht, në raport me ta, nacionalizmi i Enver Hoxhës ishte krejt tjetër. Hoxha e shpalli të paprekshme atë Shqipëri që trashëgoi, Shqipërinë e Londrës.  Në marrëdhëniet me jugosllavët e Titos, vuri qysh në kohën e luftës çështjen e Kosovës dhe të bashkimit të saj me Shqipërinë. Në 1943, Titua e pranoi se Kosova ishte shqiptare dhe pas luftës duhej t’i bashkohej Shqipërisë. Në janar 1944, me inisiativë të komunistëve shqiptarë këndej dhe andej kufirit (Fadil Hoxha shkruan se inisiator ishte Enver Hoxha dhe ai vetë), u mblodh Konferenca e Bujanit, ku u ritheksua vullneti i popullit të Kosovës për t’u bashkuar me Shqipërinë.

Në vitin 1946, Ambasadori i Jugosllavisë në Shqipëri, Gjegja, i cili shoqëroi Enver Hoxhën gjatë vizitës së këtij të fundit në Beograd, deklaronte se gjatë bisedimeve me Titon, lideri shqiptar kishte kërkuar “në një mënyrë të papërshtatshme” bashkimin e premtuar të Kosovës me Shqipërinë. Po me atë rast, Hoxha këmbënguli që problemi i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë të përfshihej edhe në Traktatin e Miqësisë e Bashkëpunimit, që dy vendet bëheshin gati të nënshkruanin. Pas prishjes me Jugosllavinë, në 1949, Hoxha i shkruante një letër të gjatë Stalinit, ku pasi paraqeste një histori të detajuar të shqiptarëve nën regjimin e Karagjeorgjeviçëve e të Titos, konkludonte se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do ta forconte këtë të fundit, “aleate besnike e BRSS”dhe do ta dobësonte Jugosllavinë e Tito-Rankoviçit.

Nuk ka dyshim se afrimi i Krushovit me Titon në 1955, ishte një nga shkaqet kryesore të krizës në marrëdhëniet sovjeto-shqiptare.  Hoxha nuk mund të harronte që pas vitit 1948 Jugosllavia ishte bërë bazë kryesore ku organizoheshin veprimtaritë e zbulimeve jugosllave, amerikane e greke kundër regjimit të Tiranës.

Mbi të gjitha, mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë mbetej problemi i mprehtë i Kosovës. Qëndrimet e Enver Hoxhës pas vitit 1960 për çështjen e Kosovës zhvishen gjithnjë e më shumë nga mbulesa ideologjike dhe dominohen nga retorika nacionaliste, herë-herë edhe me nota raciste. Hoxha lëshohet me të njëjtim tërbim kundër “qelbësirave frikamane maqedonase që terrorizonin shqiptarët” (1969), por edhe kundër shërbëtorve shqiptarë të regjimit të Beogradit, duke filluar nga “qeni serb” Sinan Hasani (1982).

Në vitin 1966 shkruante artikullin “Kush përgjigjet për krimet e genocidit të kryera në kurriz të popullsisë shqiptare të Kosovës, Malit Zi e Maqedonisë”, ku nënvizonte si momente kryesore vrasjet e të rinjve kosovarë në Mal të Zi (Tivar), ato të kryera në Kosovë kundër gjoja kundërshtarëve të Luftës, terrori gjatë aksionit për grumbullimin e armëve. Denoncon gjithashtu politikat shkombëtarizuese në dëm të shqiptarëve nëpërmjet rrudhjes së vazhdueshme të të drejtave kombëtare të tyre, duke filluar nga ajo e shkollimit në gjuhën shqipe. E trembte ajo që do të vinte pas vdekjes së Titos, kur edhe në të gjallë të tij zhvillohej një luftë e egër mes klaneve të ndryshme brenda Lidhjes së komunistëve jugosllavë. “Në kuadrin e kaosit e të shqyerjeve mes klikave të Jugosllavisë, Kosova dhe banorët e saj shqiptarë gjenden kurdoherë të ekspozuar ndaj rreziqeve të mëdha”, shkruante në 19 shtator 1966.

Hoxha tregon se e njihte mirë gjendjen në Kosovë, kur bën përgjegjës kryesor të politikave antishqiptare klanin serb të përfaqësuar nga i njohuri i vjetër i tij, Dushan Mugosha dhe nga “xhelati” Rankoviç (ndërkohë, vetë Fadil Hoxha i vlerësonte këta të dy si dashamirës të shqiptarëve!). Eliminimi i Rankoviçit në 1966 si dhe denoncimi që Hoxha dhe Tito i bënë pushtimit të Çekosllovakisë në 1968, krijuan kushtet për një normalizim të marrëdhënieve me Jugosllavinë. Hoxha pati meritë të padyshimtë që këtë afrim ta kanalizonte thuajse tërësisht në drejtim të Kosovës, sidoqë jugosllavët insistonin që marrëdhëniet të zhvilloheshin paralelisht me të gjitha republikat jugosllave. Njohja e  autonomisë së Kosovës dhe sanksionimi i saj me Kushtetutën e vitit 1974, themelimi i Universitetit , i Akademisë së Shkencave dhe institucioneve të tjera mësimore e shkencore të Kosovës,  shkëmbimi i pedagogëve, studjuesve, artistëve, sportistëve midis Tiranës e Prishtinës, organizimi i veprimtarive shkencore me tonalitet të lartë kombëtar, siç qenë ato për  500-vjetorin e Skënderbeut (1968), Konsulta e Prishtinës për unifikimin e gjuhës (1968), Konferenca për 100 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit (1978) etj., krijuan një klimë të ngrohtë mes dy anëve të kufirit, e mbi të gjitha nxorrën në sipërfaqe një shtresë të re intelektualësh e studentësh kosovarë, që do të bëheshin protagonistët e ngjarjeve që do të vinin.

E pra, askush nuk mund ta mohojë që Enver Hoxha i ka ideuar dhe i ka ndjekur deri në detaj këto zhvillime. Madje edhe duke korrigjuar vetveten. Deri në vitin 1981 ai ishte shprehur kundër parrullës “Kosova-Republikë” dhe mbronte projektin e bashkimit të thjeshtë të saj me Shqipërinë. Për këtë arsye, në 1973, kishte refuzuar të nënshkruante edhe Aktin Final të Helsinkit, që sanksiononte pandryshmërinë e kufijve në Evropë. Por, pas ngjarjeve të mars-prillit 1981 në Prishtinë, ai doli pa hezitim në mbrojtje të demonstratave të studentëve dhe të parrullave të tyre, mes të cilave më kryesorja ishte “Kosova-Republikë”.  Me rastin e zhvillimeve në Kosovë, Hoxha korrigjoi edhe qëndrimin e vet ndaj demokracive perëndimore. Për herë të parë pas 40 vjetësh, marrëdhëniet preferenciale të regjimit me Francën njohin një periudhë krize. Arsyen e shpjegon vetë Hoxha: Franca, e shqetësuar nga proceset dizintegruese në Jugosllavinë e pas-Titos, kishte marrë nën mbrojtje politikën represive kundër shqiptarëve në Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni.

Ndërkohë Hoxhës nuk i kishte shpëtuar mbështetja që po i jepnin lëvizjes së shqiptarëve shtypi dhe mjedise politike të Gjermanisë Perëndimore. Pikërisht në maj të vitit 1981, në një shkrim të botuar tek “Zërit të Popullit”, ai artikuloi tezën e “së drejtës së kombit gjerman për të jetuar i bashkuar”, që pas ndonjë muaji e nënvizoi me më shumë forcë në Kongresin e Partisë së Punës. Hoxha shprehte bindjen, se në kushtet e mungesës së një marrëdhënieje çfarëdo me SHBA, do të ishte pikërisht Gjermania ajo që do sensibilizonte e do të tërhiqte aleatin amerikan në mbështetje të luftës së shqiptarëve në Jugosllavi. Sinjali nuk shpëtoi pa u kapur në Bonn. Ishte fillimi i një marrëdhënieje shumë të rëndësishme, që u konkretizua me vizitën e papritur të Franc Jozef Shtrausit në Shqipëri, në 1984, por që për fat të keq, pasardhësit e Hoxhës e lanë të shuhet me frikërat dhe pavendosmëritë e tyre.

Sigurisht, e gjithë kjo trajektore e shpejtë e qëndrimeve të Enver Hoxhës ndaj çështjes së Kosovës, si thelb i çështjes kombëtare shqiptare në shek. XX, shënohet edhe nga dyshimet e pasiguritë e veta. Mjafton të kujtojmë, se përvoja negative e marrëdhënieve me Jugosllavinë, gjatë dhe pas Luftës, bëri që regjimi i Hoxhës të dyshonte si “agjentë titistë”, dhe shpesh herë të keqtrajtonte, shumë nga patriotët kosovarë që kalonin kufirin për t’u shpëtuar përndjekjeve të organeve jugosllave. Çështë më e keqja, angazhimi i madh politik në mbrojtje të luftës së rinisë e të popullit të Kosovës, nuk u shoqërua të paktën me një relaksim të luftës së klasave dhe me një çfarëdo liberalizimi të ekonomisë të super-kolektivizuar e të pashpresë shqiptare. Përkundrazi. Por, me sa duket nuk mund të pritej më shumë prej Enver Hoxhës. Ishte nacionalist, por ishte edhe komunist. Dhe nacionalizmi i tij mbulohej herë pas here nga dallgët e një dogmatizmi ideologjik, që në vitet e pleqërisë u bë gjithnjë e më mbytës.

DITA

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU