Banka e Shqipërisë përkujton atdhetarin, themeluesin e shtetit shqiptar dhe kryeministrin e parë të Shqipërisë së pavarur, Ismail Qemal bej Vlorën.
Për të nderuar figurën e Ismail Qemalit, Banka e Shqipërisë e ka vendosur portretin e tij në kartëmonedhën e qarkullimit me kurs ligjor 500 lekë, në monedhën përkujtimore 100 Lekë ”90-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë”, si dhe në monedhën përkujtimore 200 lekë shtypur me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.
Karriera politike dhe përpjekjet e bëra në ndihmë të popullit të tij për të arritur pavarësinë, e bënë atë një udhëheqës të shquar të Lëvizjes Kombëtare dhe, pas nënshkrimit të Aktit të Shpalljes së Pavarësisë, edhe kryeministrin e parë të Shqipërisë së pavarur.
Në mendimin e Ismail Qemalit, Banka Kombëtare duhet të ishte një institucion financiar që synonte zhvillimin ekonomik të vendit. Por, në mungesë të stabilitetit, nuk u krijuan mundësitë për formimin e një banke me kapital themeltar shqiptar. Kjo e detyroi Ismail Qemalin të kërkonte ndihmën e Austro-Hungarisë dhe të Italisë.
Banka Kombëtare e Shqipërisë, e themeluar me kapital të përbashkët austro-italian, kishte të drejtën e emetimit të kartëmonedhave, të cilat do të emërtoheshin në shqip dhe në frëngjisht, dhe do të mbante në rezervë mjaftueshëm ar sa për të mbuluar 1/3 e kartëmonedhave në qarkullim. Ajo mori rolin e agjentit financiar të qeverisë shqiptare, duke fituar kështu të drejtën e kryerjes së disa veprimeve financiare në emër të saj.
Me nënshkrimin e konventës bankare më 4 tetor 1913, Ismail Qemali ishte i bindur se Banka Kombëtare e Shqipërisë, do të çonte drejt zhvillimit të ekonomisë së vendit dhe konsolidimit të pavarësisë së Shtetit Shqiptar. Por, problemet me të cilat u ndesh Shqipëria gjatë kësaj periudhe nuk krijuan mundësi për zhvillimin e mëtejshëm të Bankës, veprimtaria e së cilës u ndërpre përfundimisht në qershor 1914. /a.rada